E hënë, 28 Prill, 2025

SHENJTËRIA E JETËS PËRBALLË “ANDRALLAVE” MEDIALE

“Ekskluzivitetet” e shpifura të bjerrakohësve që nuk kanë lidhjen më të vogël me etikën gazetareske, rrezikojnë të simulojnë perceptime të gabuara në hapësirën mediale. Kjo do të thotë të “asgjësosh” realitetin objektiv dhe të lëshohesh në andralla spekulimesh naive që krijojnë shtrembërim fatal në perceptimin e rrezikut real që mbetet i pranishëm përtej teorive të komplotit që përpiqen të përligjen me lloj-lloj storiesh sureale. Nëse shpërputhja mes realitetit objektiv dhe virtual ka kohë që ka ndodhur, në një situatë emergjence botërore, vërtetësia e informacionit mbetet jetike për të përafruar kodin e komunikimit në njëshmërinë e kuptimit që duhet të bartë mesazhi, në këtë rast informacioni.

 

Shkruan: Bardhyl Zaimi

 

Ditët nuk fillojnë si zakonisht, janë disi më të lodhura dhe pa atë vrullin e jetës që nënkupton një ambicie, një qëllim, një shpërfaqje të vetes në sheshin e jetës së përbashkët. Koha është tkurrur në një hapësirë të kufizuar dhe po merr një kuptim krejtësisht tjetër. Urgjencat ia kanë lëshuar vendin një ngadalësie dhe ngërçi që vjen nga një mënyrë jetese deri më tani e papërjetuar.

Të mësuar me ngutje të përditshme, nuk mund të rehatohemi në një gjendje tjetërfare, e cila njeh një kohë tjetër të mbushur me mungesat që na i vjedhin ditët e shpejta, ato ditë që digjen si meteorë në qiellin e ekzistencës sonë sociale dhe shoqërore. E përveçmja në një kontekst kërcënimi zbythet, por ëndërron përbashkësinë, ritualin e përditshëm të ngritur në kult estetike të përditshmërisë urbane.
Duket se jemi në një të tashme të përjetshme, pa fillim dhe pa mbarim, njashtu siç e ëndërronte Borhesi kohën.

Njerëzit ndjehen të rrezikuar nga armiku i padukshëm që ia behu nga asgjëkundi dhe që tashmë paradoksalisht ka pushtuar gjithë hapësirën të zotëruar nga qenia njerëzore. Njerëzit ndjehen të rrezikuar edhe në kuptimin social, sepse nuk dihet sa mund të zgjasë kjo situatë, ndërkohë që frika e mbijetesës po shtrihet si një depresion i provuar tashmë me recesione botërore.

Të gjithë po bëjnë betejën e tyre në rrethanat e krijuara. Mjekët në vijën e parë të frontit, ndërkohë që shkenca përpiqet me gjithë forcën e mundshme ta identifikojë këtë armik të padukshëm për t’i dhënën botës një kurë ose një vaksinë aq shumë të nevojshme. Me dhjetëra institute, qendra hulumtuese shkencore tashmë pa pushim po provojnë të gjejnë pikën e dobët të virusit për t’i dhënë njerëzimit normalitetin.

Koha, bota që ne njohim duket se tashmë është çarë më dysh, duke krijuar kështu dy gjendje që notojnë të ndara nga njëra tjetra. Dy botë që tashmë qëndrojnë përballë njëra-tjetrës, secila me probabilitet e veta. Bota siç e njohim, normale, që kërkon të ngadhënjejë mbi deprimimin dhe bota e diktuar nga virusi vdekjeprurës që kërkon të vë pushtetin e vetë për aq sa mundet gjithnjë me pasoja fatale për qenien njerëzore.

Qenia njerëzore tashmë ndodhet në një situatë me shumë të panjohura që e bëjnë ekuacionin e ngadhënjimit mbi virusin korona të komplikuar, por jo edhe të pashpresë.

Përkundër shumë përpjekjeve për të gjetur përgjigjen e duhur duket se sfida e viruseve që kalojnë nga një habitat i panjohur në entitetin njerëzor mbetet e pashpjeguar deri në fund. Shkenca kërkon ekspertizën, ndërkohë që njerëzimi ngutet për t’iu kthyer normalitetit. Një normalitet që nënkupton lëvizje të lirë, qarkullim dhe marrëdhënie njerëzore në një hapësirë të caktuar lirie.

Por, kjo, tash për tash, duket e pamundur, në kohën kur virusi po shtrinë praninë e vetë në gjithë vendet e globit. Historia njerëzore njeh një trajektore përvoje dhe dijeje që bartet nga brezi në brez. Në këtë aspekt edhe pandemitë kanë historikun e tyre. Brenda kohës nuk kanë munguar vështrimet në aspektin historik të pandemive. Gjithë kjo përvojë vjen të na tregojë se i vetmi i ilaç, përderisa nuk ka një kurë dhe vaksinë, mbetet karantina e aplikuar edhe gjatë epidemive, pandemive të ndryshme gjatë historisë njerëzore.

Kjo preventivë tashmë është strukturuar në masa konkrete edhe për këtë kohë që nënkupton higjienën, distancimin fizik dhe kufizimin e lëvizjes, gjegjësisht vetëizolimin.
Përderisa në nivel global po bëhet një betejë e jashtëzakonshme për ta definuar virusin, por edhe për të shmangur dhe pakësuar pasojat që në ketë rast janë jetë njerëzish në hapësirën mediale shfaqet fenomeni i lajmeve të rrejshme, që krijon huti në opinion dhe ndërkohë trimëron njerëz që të shkelin masat e vetëizolimit. Bëtaja kundër lajmeve të rrejshme në këtë situatë mbetet jetike, sepse lajmet e paverifikuara, përveç që krijojnë një perceptim krejt të gabuar dhe jo shkencor mbi kërcënimin e virusit, frymëzojnë njerëzit të “rebelohen” kundër një pakti global rekomandimesh që nënkuptojnë të vetmen rrugë për të ruajtur shenjtërinë e jetës.

Mendja njerëzore gjithnjë ka qenë e prirë për konspiracion, për komplote, por kur ky opinion strukturohet dhe plasohet në hapësirën mediale, në një kohë të brishtë, receptimi i këtij pseudoinformacioni nga një pjesë e publikut mund të rezultojë fatal.

Hapësira mediale ka nevojë si asnjëherë më parë për informacion të verifikuar, për profesionalizëm dhe për objektivitet të plotë në pasqyrimin e gjendjes së krijuar nga kërcënimi i virusit korona. Sa më tepër që mediat janë në këtë funksion, aq më e lehtë bëhet beteja me pandeminë. “Ekskluzivitetet” e shpifura të bjerrakohësve që nuk kanë lidhjen më të vogël me etikën gazetareske, rrezikojnë të simulojnë gjendje të paqena në hapësirën mediale. Kjo do të thotë të “asgjësosh” realitetin objektiv dhe të lëshohesh në andrralla spekulimesh naive që krijojnë shtrembërim fatal në perceptimin e rrezikut real që mbetet i pranishëm përtej teorive të komplotit që përpiqen të përligjen me lloj-lloj storiesh sureale.

Që qenia njerëzore ka nevojë për një zhvendosje në hapësira tjera të ekzistencës sidomos në këtë kohë ngushtie nga një kërcënim real, tashmë dihet dhe nuk do ndonjë analizë të stërholluar. Por, sidoqoftë, kjo zhvendosje duhet të bëhet në forma kreative, duke e ruajtur preventivën dhe duke mos e injoruar apo shpallur të paqenë një gjendje me të cilën përballen gjitha vendet e globit.
Nëse shpërputhja mes realitetit objektiv dhe virtual ka kohë që ka ndodhur, në një situatë emergjence botërore, vërtetësia e informacionit mbetet jetike për të përafruar kodin e komunikimit në njëshmërinë e kuptimit që duhet të bartë mesazhi, në këtë rast informacioni.

Siç duket akoma fatalisht jemi me njërën këmbë në realitetin objektiv që nuk njeh kompromise dhe shaka naive dhe realitetin virtual të mbushur me hamendësime profiterësh naiv në hapësirën mediale.

Vërtetësia e informacioneve që bart gjithë gjendjen reale të rrezikut nga virusi korona është imperativ i hapësirës mediale aktualisht, por edhe në ditët në vijim. Shakatë, humori në hapësirën virtuale, në rrjetet sociale është tjetër gjë. Kjo në një farë mënyre paraqet zhvendosjen e domosdoshme në një hapësirë kreativiteti për ta përballuar kufizimin e lirisë së qenies të mësuar me ligjësitë dhe “teket” e normalitetit.

Por, ne tashmë jemi në këtë situatë dhe mbetet e domosdoshme të mësohemi me kufizimin e lirisë sonë, e cila vjen për ta pohuar shenjtërinë e jetës. Ne mund të udhëtojmë edhe pa lëvizur nga vendi. Jan Parandivski në librin e tij të jashtëzakonshëm ” Alkimia e fjalës”, thotë se një krijues jo detyrimisht duhet të vizitojë vende për të shkruar, mjafton të vizitojë viset brenda vetes. Një humor i hollë dhe tepër përmbajtësor ka shpërthyer në rrjetet sociale bashkë me përhapjen e virusit. Sigurisht një humor kreativ që mbetet plotësisht i vetëdijshëm për situatën të krijuar nga virusi kërcënues.

Tashmë jemi në këtë situatë paradoksale kufizimi dhe energjie në rritje që gjithnjë prodhohet kur para jetës njerëzore shfaqen ndalime. Duhet të jetojmë për një kohë me këtë dyzim që normalisht krijon nganjëherë frustrim, por edhe një mundësi për të ndjerë erëmimin e gjësendeve brenda parajsës sonë të harruar familjare.

Asnjë situatë sado e pashpresë nuk mund ta ndalojë jetën. Po e rikujtojë në këtë rast një fragment nga “Tundimi i Shën Antonit” të Floberit. Mes tjerash aty thuhet se sado që jeta të rrezikohet, të ndalohet, ajo prapë gjen plasaritje për ta ripohuar veten.

Mbase jemi përpara një transponimi të madh të paparë në historinë njerëzore. Kërcënimi nga viruset mbase mund ta ndryshojë mënyrën e jetesës. Një gjë mbetet e sigurt që jeta gjithnjë do t’i gjejë plasaritjet për të pulsuar në çdo situatë. Mbetet të mbrojmë veten dhe të tjerët, në kohën kur vërtetësia e kërcënimit nuk mund të zëvendësohet me asnjë hamendësim naiv që zgjatet si hije e zezë fatale në hapësirën mediale. /KDP

Të fundit