Autor: Xhelal Neziri
Tani kur futemi në muajin e dytë të karantinimit, duket sikur i gjithë diskursi publik pak a shumë është ndikuar nga pandemia e virusit COVID-19. Përplasjet politike dhe fushatat në kohë pandemie janë të vetmet zhvillime jonormale që na përkujtojnë normalitetin tonë para pandemisë. Në një farë mënyre dërgojnë sinjale shprese te njerëzit se edhe ky virus, që sot tallet me mbarë njerëzimin, do të ikë njëjtë si ato para tij.
Andaj, që të mos dominojë virusi corona edhe në këtë shkrim, dy pjesët e para do të trajtojnë ngjarje dhe dukuri politike, ndërkohë që vetëm pjesa e tretë do të ndërlidhet me pandeminë.
I. Gjatë periudhës 1999-2004 Gerhard Shröder ishte kancelari i Gjermanisë që trashëgoi Helmut Koll dhe u pasua nga Angela Merkel. Derisa ishte në detyrë mbronte zbatonte politikat e Gjermanisë, BE dhe NATOs në rajon, sidomos karshi Kosovës. Pasi u largua nga detyra u bë drejtor në kompanisë ruse të gazit Gazprom, e tash i asaj të naftës Rosneft. Sa ishte kancelar mbronte shkëputjen e Kosovës nga Serbia, kurse në 2007 kritikonte vendet që kanë pranuar pavarësinë.
Pse?
Sepse kur ishte në detyrë zbatonte politikat e jashtme të përcaktuara e të formësuara me dekada nga gjenerata burrështetasish gjermanë e euroatlantik, kurse pas përfundimit të mandatit – agjenda individuale apo partiake që lidhen me interesa joshtetërore.
Demonizimi para opinionit publik shqiptar (sidomos në Kosovë) i ambasadorit të SHBA-ve në Gjermani dhe i dërguari i presidentit amerikan në dialogun Prishtinë-Beograd, Richard Grenell, është oponencë e drejtpërdrejtë e popullit amerikan. Nuk mund të jesh në miqësi me një popull të cilit nuk ia njeh e respekton zgjedhjen. As Grenell e as presidenti Trump nuk përfaqësojnë interesa personale, por kanë legjitimitetin e plotë të zbatojnë doktrinën amerikane në diplomaci.
Ish-politikanët, fraksionet opozitare, përfaqësues të Think Tankeve, analistët dhe lobistët janë pjesëmarrës në krijimin e opinionit publik, por nuk janë përfaqësuesit zyrtarë të politikës së jashtme të një shteti.
Edhe politikat e jashtme legjitimohen në zgjedhje. Injorimi i përfaqësuesve zyrtarë të atyre politikave është mosrespektim i vullnetit të shumicës së votuesve që i kanë dhënë legalitet e legjitimitet.
II. Është e rrezikshme për demokracinë që shikueshmëria e një emisioni të matet vetëm me shikimet (views-at) dhe pëlqimet (like-t) e mijëra profileve në Facebook, të kontrolluara nga qendra gebelsiane të politikës. Kjo i bie se një emision ka shikueshmëri vetëm nëse ka mysafir përfaqësues të partisë që ka më shumë ushtarë në Internet apo ndjek qëndrimet e saj.
Është kjo një grackë që i bën mediat të nënshtrohen karshi preferencave të “shikuesve”, numri i të cilëve pastaj i përcakton edhe të hyrat nga reklamat. Është mashtrim pasi, sipas të gjitha anketimeve të besueshme, rreth 80% e njerëzve më parë preferojnë televizionin sesa Internetin si medium për ndjekjen e përmbajtjeve politike.
III. Coronavirusi është edhe matës i vetëdijes, ndërgjegjes dhe përgjegjshmërisë kolektive në një komune, qytet apo rajoni të caktuar!
Aty ku përhapet me shpejtësi, ta dini se ka lidhur koalicion me ata që s’marrin vesh çka është #RriNëShtëpi, çka do të thotë distancë sociale apo si të mbajnë higjenë personale. Ata janë pak, por janë si ajo pika e fekales në një fuçi me ujë të pijshëm! Ata janë vetëm 5% e popullatës dhe pavetëdijshëm kanë lidhur koalicion me coronavirusin që ta distribuojnë atë!
Poeti Anglez i shekullit XVII, Alexander Pope ka thënë: “Atje ku budallejtë ecin me nxitim, engjëjt frikësohen ta vënë këmbën!”