Në këtë kohë vetëveçimi, ne thellësisht mund ta ndjejmë klithjen e përshpirtshme të Holderlinit se “ njeriu është një banor poetik në këtë botë”. Diçka që shkon përtej shqetësimeve të arsyeshme që vijnë nga virusi korona, përtej padurimit për t’iu kthyer ritualeve tona urbane. Një oksimoron gjendjesh të papajtueshme mbetet në ne. E ndjej së brendshmi padurimin tim kur i bëjmë detyrat me Hektorin në shtëpi, por edhe dorën e tij të vogël, gjersa shkruan ngadalë, duke e krijuar kohën e tij. Po zbuloj një botë tjetër që pranë në një kohë të ngadalshme ekzistenciale!
Shkruan: Bardhyl Zaimi
Edhe po të duash nuk mund t’i ikësh kohës së virusit korona. Në vetëveçim bota perceptohet ndryshe. Ritualet e mëparshme të ditës tashmë janë shndërruar në meditime vetmitare mbi gjëra tjera që e kanë trandur jetën gjer në thelb. Asgjë nuk duket më si më parë. Dhe tonet e përshpirtshme në një shkrim, siç mjund të jetë ky, vetëm kërkojnë të shmangin statistikat e dhimbshme që çdo ditë ripërsëriten në media. Shumë emra të njohur në botë tashmë e kanë theksuar faktin se pas virusit korona bota nuk do të jetë më e njëjtë. Dhe me gjasë do të ndryshojë gjithçka. Qenia njerëzore pas lartësimesh të shumta në botën teknologjike tashmë po përballet me një fakt të pamohueshëm që e vë përpara një brishtësie si kurrë më parë.
Vetëveçimi për një krijues nuk është edhe aq problem. Ai gjatë tërë kohës e kërkon atë, si një predispozitë për të komunikuar dhe për t’u tejbartur në dimensione tjera të ekzistencës njerëzore. Janë krijuesit, më tepër se kushdo tjetër që gjatë tërë ekzistencës njerëzore na kanë paralajmëruar për fenomene që më pas janë bërë pjesë e gjendjeve njerëzore. Pikërisht, nga majat e vetmisë, të atij transandentimi tejskajshëm, krijuesit i kanë bërë ftesë qenies njerëzore të tejbart ekzistencën e vetë në gjenje që nuk ndërlidhen domosdoshmërisht vetëm me realitetin ashtu siç e determinon një kohë e caktuat. Tomas Eliot thoshte se “ truri im nuk duron kaq shumë realitet”. Pikërisht, kjo është përmasa krijuese që refuzon të bëhet skemë e një realiteti të dhënë, të bëhet karikaturë e këtij realiteti.
Po në këto frekuenca mbetet edhe eksplorimi perfekt i Jan Parandovskit në librin e tij “ Alkimia e fjalës”. Ai thotë se një krijues nuk ka nevojë të vizitojë vise të reja, sepse i mjafton t’i vizitojë viset brenda tij për të krijuar. Frika, tmerri, kontrolli, vlerat e demokracisë që sot mund të vihen në dyshim nga debutues të ndryshëm në botë, gjithashtu kanë qenë në fushëpamjen e paanshme të ndjeshmërisë krijuese. Mbase të gjitha i kanë thënë, por ne s’ekmi qenë aty për të përgjuar të përkulur paralajmërimet parabolike, të cilat u flasin të gjitha epokave. A nuk iu flet Homeri të gjitha epokave? Po, Dante, që më rrathët e ferrit tejbarte gjendje shpirtërore? Po, Shekspiri që mbetet aq i ngjashëm me Eskilin. Po Oruelli me vitin e tij të famshëm 1984. A nuk na tronditi gjer në thelb “Murtaja” e Kamysë, paralajmërime se një ditë do të zgjohet në orendi, në çarçafë dhe rrobe tjera? A nuk na fali kryeveprën e tij “ Njëqind vjet vetmi” Markezi, pikërisht nga një situatë e pashpresë në miniaturë që zhvillohej në Makondo, por që ishte metafora e madhe e vetmisë njerëzore? Të gjithë, pa përjashtim, na kanë bërë ftesë t’i kthehemi vetvetes, t’i kthehemi kohës së ngadalshme siç e përcakton, Milan Kundera. Dhe, shumë e shumë të tjerë, që secilin në mënyrën e vetë origjinale, e ka shtjelluar vetminë njerëzore përballë të panjohurës, përballë asaj fushëpamje të paskajshme që e determinon vogëlsinë dhe madhninë njerëzore.
Kana kaluar mbi tre javë në vetëveçim, ndërkohë që i gjithë globi po lufton me një armik të padukshëm, që deri më tash shkencëtarët nuk kanë arritur ta definojnë. Një kërcënim real, që na ka bërë të zbythemi në botët tona të vogla, në atë qosh të përshpirtshëm prej nga mund të meditojmë qetësisht mbi gjithë atë që përfaqëson qenia njerëzore. Kundera, thotë se njerëzit mund të jetojnë pa shumëçka, por jo edhe pa budallallëkun. Edhe në këtë kohë vetëveçimi të domosdoshëm, në këtë kohë kur informacioni do të duhej të ishte i shpejë, i saktë dhe objektiv, shfaqen lajmet e rrejshme, që edhe mund të krijojnë perceptime tërësisht të gabuara mbi gjendjen reale me virusin korona.
Informimi profesion mbetet një imperativ i përhershëm, sidomos në këtë kohë. Shenjtëria e jetës nuk duron ekzibicione. Jeta e secilit tashmë po kanosët, ndërkohë bota shkencore po përpiqet që ta identifikojë këtë armik të padukshëm. Si qytetarë na mbetet t’i respektojmë rregullat dhe të zhvendosemi për një kohë në botën tonë të vogël njëkohësisht të madhe sa gjithë njerëzimi.
Po t’i referohemi Bergjaevit, duket se e kemi humbur kohën kronologjike, por kemi përbrendësuar kohën ekzistenciale. Një katarsis vetëveçimi dhe vetëreflektimi. Njëjtë si pemët që kapen fort për toke e ëndërrojnë të ngjiten qiellit. Më pranë njeri-tjetrit të përkulur dhe me delire jete. ” E fortë si vdekja është dashuria”, thuhet te Kënga e Këngëve.
Mbase për shumë situata, jo vetëm në fushën e matematikës, teoria e probabilitetit mbetet shumë thelbësore. Sidomos në kohën e këtij virusi “fodull” që shëtitet plot qesëndi. Të gjitha studimet i shkojnë afër me probalitet të mundshëm, akoma pa e përcaktuar saktësisht. Mbase edhe kështu do të mbetet. Por, ne duhet të vazhdojmë të jetojmë, sepse duket se prapë jemi në dikotominë e përjetshme TANATOS vs EROS. Të ushqejmë të mirën, të bukurën, kurajon edhe në këto ditë, që përveç dimensionit të pastër biologjik, mjekësor, etj, ka edhe dimensionin human, thellësinë e mosdorzimit të jetës, besimit se jo gjithçka është në dorën tonë, por se përpjekja për t’u kapur për jetën gjithnjë ia vlen!
Në këtë kohë vetëveçimi, ne thellësisht mund ta ndjejmë klithjen e përshpirtshme të Hoderlinit se “ njeriu është një banor poetik në këtë botë”. Diçka që shkon përtej shqetësimeve të arsyeshme që vijnë nga virusi korona, përtej padurimit për t’iu kthyer ritualeve tona urbane. Një oksimoron gjendjesh të papajtueshme mbetet në ne. E ndjej së brendshmi padurimin tim kur i bëjmë detyrat me Hektorin në shtëpi, por edhe dorën e tij të vogël, gjersa shkruan ngadalë, duke e krijuar kohën e tij. Po zbuloj një botë tjetër që pranë në një kohë të ngadalshme ekzistenciale!