E shtunë, 12 Tetor, 2024

Bien vdekjet në Itali, por studimet sugjerojnë ndryshe

Niveli i viktimave në Itali nga koronavirusi arriti nivelin më të ulët të gjashtë ditëve të fundit, njoftuan autoritetet. Por, u rrit numri i përgjithshëm i të infektuarve të rinj dhe qeveria e shtriu në kohë shtetrrethimin deri të paktën në gjysmën e prillit në mbarë vendin.

Agjensia e Mbrojtjes Civile tha se 727 persona vdiqën gjatë 24 orëve të fundit, një rënie kjo krahasur me 837 viktimat e një dite më parë. Totali i viktimave të pandemisë ka rritur në 13’155.

Italia ka gati 30% të viktimave në mbarë botën nga ky infeksion i rëndë i rrugëve të frymëmarrjes.

Megjithatë sipas të dhënave të firmës analitike InTwig, në zonën më të goditur të Italisë, përreth qytetit të Bergamos, rreth 4500 persona vdiqën nga koronavirusi gjatë muajit mars, ndërkohë që prej tyre vetëm 2600 ishin përfshirë në të dhënat që shpërndau Agjensia për Mbrojtjen Civile. Sipas një studimi të firmës InTwig, shumica e viktimave të moshuar vdiqën në shtëpitë e tyre, nuk arritën kurrë të shkonin në spital, si dhe nuk u testuan kurrë për virusin.

Nënpresidenti amerikan Mike Pence tha sot se shpërthimi i koronavirusit në Shtetet e Bashkuara mund të krahasohet me atë të Italisë, duke dhënë kështu një tregues për një nivel të lartë viktimash që mund të shkaktohen në radhët e amerikanëve.

Shtetet e Bashkuara kanë mbi pesëfishin e popullsisë së Italisë, dhe momentalisht radhiten vendi i parë në botë për nga niveli i të infektuarve të konfirmuar dhe për nga numri i viktimave.

Të fundit