Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti takoi mëngjesin e sotem Presidentin e vendit Hashim Thaçi. Pas takimit të zhvilluar në presidencë, Kurti tha për mediat se kanë biseduar fillimisht për situatën pas përhapjes së koronavirusit në vend. Kreu i VV thotë se pyetjes së Presidentit për krijimin e një qeverie të re, i është përgjigjur negativisht duke deklaruar se së bashku mund të bisedonin vetëm për zgjedhje të reja.
“Pyetjeve dhe përpjekjeve të presidentit që ne të flasim për mundësinë për një qeveri të re, për kandidatura të reja u jemi përgjigjur me qëndrimin tonë për të cilin jemi të bindur që është jo vetëm i drejtë por edhe i vetmi në bazë të Kushtetutës. Nuk mund të kapërcejnë diku tjetër duke mohuar nenin 82 pika 2 të Kushtetutës, që thotë se pas një mocioni të mosbesimit ajo çfarë ngelet është të shkohet në zgjedhje të reja. Të bindur se Kushtetuta nuk krijon mundësinë në kontekstin aktual politik që ne të kemi një qeveri të re, pa zgjedhje të reja”, – tha Kurti.
Ai ka shtuar se edhe presidenti është zotuar që të veprojë sipas Kushtetutës.
“Presidenti u zotua se do ta respektojë kushtetutën. Të gjithë e dimë cilat janë praktikat e mëhershme edhe në vitin 2010 edhe në vitin 2017 me mocion ka rënë qeveria dhe më pas është shpërndarë Kuvendi dhe janë shpallur zgjedhjet. Ne e theksuam këtë qëndrim tonin. Presidenti nuk duhej të merrej me emra njerëzish e partish, por, me data për zgjedhjet e reja në kalendarin e këtij viti. E dimë që ndodhemi në betejën intensive kundër koronavirusit dhe mbase kjo do të mund ta shtyjë ca datën e zgjedhjeve mirëpo, kushtetuta besojmë që nuk krijojnë mundësi apo alternativa tjera”, – ka thënë Kurti. ©LAPSI.al