E shtunë, 12 Tetor, 2024

DO TA SHLYEJMË NGA FJALORI EDHE FJALËN CORONAVIRUS

Autor: Rean Saiti

Një muaj pas atentatit ndaj Presidentit të atëhershëm të Maqedonisë Kiro Gligorov që ndodhi më 3 Tetor të Vitit 1995, preokupimi kryesor i autoriteteve të vendit do të jetë që ta bindin Kryeshefin e Shtatmadhorisë së Bashkuar të SHBA-ve në Evropë Gjeneralin Xhon Shalikashvili që të mos e anulojë vizitën në Shkup që ishte caktuar më 13 Tetor, do të thotë 10 ditë pas atentatit. Ai do të vijë në Maqedoni, do ta vizitojë Presidentin Gligorov në spital dhe deklarata e tij për mediat do të ndikojë pozitivisht në opinionin e këtushëm, që me të drejtë ishte i shqetësuar. Ai transmetoi mesazhin e Presidentit amerikan Klinton drejtuar populllit të Maqedonisë.

Më 17 Nënëtor të vitit 1995 në “Ditën e falënderimeve”, që zakonisht zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes së SHBA-ve e kalojnë jashtë kufijve amerikanë me ushtarët e tyre gjithandej botës, në Maqedoni do të arrijë Sekretari amerikan i Mbrojtjes Uilijam Peri, për t`i vizituar ushtarët amerikanë në kuadër të misionit të UNPREDEP-it. Në përbërje të delegacionit do të jenë edhe 5 Ministra të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s. Sekretari Peri e vizitoi Presidentin Gligorov, që njëherit ishte paraqitja e tij e parë publike pas atentatit. Por, më kryesorja, në deklaratën pas takimit, Sekretari Peri dha përkrahje të fuqishme paqës dhe stabilitetit në vend duke theksuar se pas kësaj qëndrojnë SHBA-të dhe NATO-ja.

Greqia tashmë katër vite ishte duke i bllokuar proceset e aderimit të Maqedonisë nëpër organizata ndërkombëtare, në kohën kur vendit i duhej perspektivë e qartë, paqë, stabilitet dhe siguri. Greqia tashmë dy vite e mbante vendin edhe para portave të “Partneritetit për paqë” duke eliminuar përcaktimin strategjik për anëtarësim në Aleancën veriatlantike.

Por, në një pasdite të së premtes, kah fundi i Tetorit të vitit 1995, diç më shumë se një muaj pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Përkohshme me Greqinë, Ambasadori amerikan në NATO, Robert Hanter, do t`ju lajmërohet autoriteteve të Maqedonisë duke i njoftuar se Këshilli i Përhershëm i Ambasadorëve në NATO, është i autorizuar të miratojë vendime midis dy samiteve. “Nëse ju deri të hënën, në tavolinë mi dorëzoni dokumentet e aplikimit për anëtarësim në “Partneritet për Paqë”, në seancën e parë të radhës, Këshilli i Përhershëm do ta miratojë vendimin” – u kishte thënë Ambasadori Hanter autoriteteve të vendit.

Por, kur mblidhet kabineti i ngushtë i Ministrisë së Mbrojtjes meret vesh se Ministria nuk i ka gati dokumentet e nevojshme. Do të bëhen përpjekje të vehen kontakte me ambasadorët e vendeve të “Partneritetit për Paqë”. Do të gjendet ambasadorja sllovene Jozhica Puhar e cila fatmirësisht në Ambasadë do t`i ketë kopjet e dokumenteve sllovene të aplikacionit dhe dokumentet aplikative të Rumanisë që Sllovenia i kishte shfrytëzuar si “yrnek”. Kabineti i Ministrisë së Mbrojtjes do të mbyllet për dy ditë e dy netë dhe arrijnë që deri të dielën në mbrëmje t`i përgatisin dy aktet që do të nënshkruhen nga Presidenti e Kryeministri dhe të dërgohen në selinë e NATO-s në duart e Ambasadorit Hanter.

Më 15 Nëntor të vitit 1995, në Bruksel Maqedonia zyrtarisht bëhet anëtarja e 27 e Rrjetit paqësor të NATO-s “Partneritet për Paqë”…

Gjithçka tjetër është histori… Vetoja greke në Samitin e Bukureshtit të vitit 2008, Marrëveshja e Prespës, Ratifikimi i Protokollit nga vendet anëtare të Aleancës e deri te ngritja e flamurit të RMV-së para selisë së NATO-s në Bruksel, si anëtarja e 30-të fuqiplotë e Aleancës më të fuqishme në botë…

Gati 30 vite pas pavarësimit të vendit, RMV-ja përfundimisht bëhet anëtare e NATO-s, pa përjashtime, synim ky i të gjitha forcave politike por edhe qytetarëve të vendit.

Gazetarët më të vjetër tashmë e dijnë se gjatë përpilimit dhe përgatitjes së lajmeve ditore, nuk kishte ditë nëse nuk përmendeshin, aspiratat euro-atlantike dhe kontesti për emrin me Greqinë. Këto tema, krahas atyre të marrëdhënieve ndëretnike, dominonin edicionet e lajmeve dhe faqet e gazetave.

Nëse në Qershor të vitit 2016 do të nënshkruhet Marrëveshja e Prespës, që do t`i jep fund kontestit me Greqinë, kurse ‘dushi I ftohtë” i Tetorit të vitit të kaluar nga vetoja franceze, nuk do t`i zmbraps aspiratat e integrimit evropian, data e 30 Marsit të vitit 2020 është realizimi i ëndrrave të disa brezave që vendi të jetë anëtare e NATO-s. Kur kësaj i shtohet edhe procesi i fillimit të negociatave të pakushtëzuar për anëtarësim në BE, s`do mend se me këtë po plotësohet një mozaik i tërë i përkushtimeve dhe angazhimeve të elitës politike, qytetarëve dhe padyshim edhe miqve ndërkombëtar.

Fatkeqësisht, dy ngjarjet historike që kanë qenë synim i shumë gjeneratave, në vendin tonë kaluan në heshtje. Kaluan si lajme dytësore. Vendi, por edhe e gjithë bota është në luftë me një “armik të padukshëm” që zvetënoi realizimin e përcaktimeve strategjike të vendit, duke dërguar mesazhin se sa serioze është çështja me COVID-19. Nuk i shijuam shumë gjëra ceremoniale në këtë lavdi, që një populli i vjen një herë në jetë, nuk e shijuam triumfin e një populli që më shumë se gjithçka deshi vlerat perëndimore e evropiane dhe së bashku me ta, tani ndan solidaritetin, përkushtimin, angazhimin dhe dhimbjen e përmasave botërore.

Një ditë, do t`u rrëfejmë brezave të ardhshëm, se në kohën e pandemisë së koronavirusit në vitin 2020, Maqedonia e Veriut në heshtje, në izolim, me orë policore,  shënoi realizimin dhe plotësimin e ëndrrës së kahmotshme gati 30-vjecare, për integrim në strukturat euro-atlantike.

Do t`u rrëfejmë brezave të ardhshëm se Senati i Spanjës do të mblidhet në mënyrë të jashtëzakonshme, përmes video-konferencës, për ta dhënë “dritën jeshile” të fundit të Protokollit për NATO.

Do t`u rrëfejmë për heshtjen që kishte pllakosur selinë e NATO-s në Bruksel dhe Komandën në Norfolk të SHBA-ve, duke u ngritur flamuri i RMV-së.

Dhe në fund…Gazetarët e viteve të 90-ta të shekullit të kaluar, do t`i shlyejnë nga fjalori dhe shprehja dy fjalët që si refren ishin përsëritur më se 20 vite… “Aspiratat veri-atlantike” dhe “Kontesti për emrin me Greqinë” shkojnë në histori…Do të ishte mirë që me vete ta  marrin edhe coronavirusin …

Të fundit