E diel, 8 Shtator, 2024

BRUKSELI NDIHMON BALLKANIN – FOND PËR PAJISJE MJEKËSORE DHE RIGJENERIM EKONOMIK

Autore: Erisa Zykaj 

 

Komisioni Evropian është angazhuar për të mobilizuar deri në 38 milion euro në mbështetje të menjëhershme për Ballkanin Perëndimor për të trajtuar urgjencën shëndetësore të shkaktuar nga koronavirus.

Ana Pisonero Fernandez, zëdhënëse e KE-së, tha se po mobilizohen 38 milion euro si ndihmë të menjëhershme mjekësore për Ballkanin Perëndimor duke mbështetur furnizimin e pajisjeve mjekësore dhe pajisjeve personale, të tilla si ventilatorët, pajisjet laboratorike, maska, syze dhe kostume sigurie.

BE do të ndihmojë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për të mbuluar nevojat e menjëhershme të sistemeve të tyre të shëndetit publik me deri në 4 milion € secila. Bosnjë dhe Hercegovinën me 7 milion €, ndërkohë Mali i Zi do të marrë deri në 3 milion €, Kosova deri në 5 milion € dhe deri në 15 milion € do të shkojnë në Serbi, vendi më i prekur deri tani.

Ekzekutivi europian ka njoftuar gjithashtu dhe rialokimin e 374 milion € për të ndihmuar në rigjenerimin social dhe ekonomik të rajonit.

“Ne gjithashtu po rialokojmë 374 milion € për të ndihmuar rigjenerimin social dhe ekonomik të rajonit. Kjo do të përfshijë mbështetje për sektorin privat, rritjen e mbrojtjes sociale, me një vëmendje specifike ndaj grupeve të cenueshme, dhe forcimin e qëndrueshmërisë në sektorin e shëndetit publik”, tha Ana Pisonero Fernandez, zëdhënëse e KE-së.

Për këtë qëllim, Komisioni do të mobilizojë deri në 46.7 milion € për të mbështetur rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike të Shqipërisë, 73.5 milion € për Bosnjën dhe Hercegovinën, 50 milion € për Malin e Zi, ndërsa Maqedonia e Veriut do të përfitojë nga 62 milionë €, Serbia nga € 78.4 milion dhe Kosova do të marrë deri në 63 milion €.

Komisioni po punon  me Institucionet Financiare Ndërkombëtare dhe institucionet përkatëse të financimit nga Shtetet Anëtare të BE-së për të siguruar një përgjigje të koordinuar për të mbështetur ekonominë reale, përfshirë ndërrrmarrjet e vogla dhe të mesme me likuiditetin dhe sektorin privat. Komisioni po punon gjithashtu  për të adresuar çështjet që prekin furnizimin dhe lehtësimin e lëvizjes së mallrave brenda rajonit, dhe midis rajonit dhe BE-së. Për këtë qëllim, Komisioni ka përfshirë pikat e kalimit kufitar BE-Ballkan Perëndimor të vendosura përgjatë rrjetit transeuropian të transportit (TEN-T) në komunikimin e tij mbi korsitë e gjelbërta të 23 Marsit 2020. BE tani po mbështet Ballkanin Perëndimor në zgjerimin e korsive të gjelbërta brenda rajonit.

 

Autorja është korrespondente e Tv Klan Maqedonia nga Brukseli 

Të fundit