E gjitha sa po ndodh në Kosovë, ku Isa Mustafa në kordinim me Hashim Thaçin po komplotojnë për rrëzimin e kryeministrit Albin Kurti, mund të jetë një prapaskenë e kurdisur nga diplomati amerikan, Richard Grenell, për të arritur sa më shpejt një marëveshje mes shqiptarëve dhe serbëve. Ky është pak a shumë konkluzioni i një analize të publikuar në të përditshmen austriake “Der Standard”.
Gazetari Adelheid Wölfl pasi bën përshkrimin e situatës së fundit politike dhe rrezikut që Kosova të mbetet pa qeveri për shkak të mocionit të LDK-së për rrëzimin e Kurtit, konkludon se një gjë të tillë po tenton ta shfrytëzojë edhe emisari i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.
Wolf nuk nguron të tregojë edhe qëllimin e kësaj manovre.
Sipas tij i dërduari i Trump për dialogun dëshiron ta rrëzojë Albin Kurtin nga pushteti me qëllim implementimin e shpejtë të marrëveshjes Thaçi-Vuçiq.
Po pse Albin Kurti është pengesë për këtë? Sepse, “Kurti kurrë nuk do të lejonte një shkëmbim territoresh bazuar në kritere etnike si pjesë e marrëveshjes siç duan lobistët rreth Trumpit”, thuhet në analizë.
Pra, sipas gazetarit “Grenell që është i interesuar për një sukses të politikës së jashtme të Donald Trump përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit” do të ishte i gatshëm që kosovarët ta paguanin me çdo çmim këtë kapriço të tij.
Pra qoftë edhe duke rrëzuar një qeveri në kohën e vështirë të koronavirusit.
Investigimi i “Washington Post”/ Grenell, lobisti me pagesë i autokratëve
Në fakt përfundimi i gazetarit Adelheid Wölfl nuk është i vetmi që të drejton në këtë pistë. Edhe i sh-diplomati amerikan, Shaun Byrnes, që kishte shërbyer në vitet 1998-1999 në Kosovë, si shef i misioni mbikqyrës të SHBA-së, në dy shkrimet e tij të fundit ka shkruar rreth përpjekjeve të presidentit Hashim Thaçi për rrëzimin e Qeverisë që po drejtohet nga Albin Kurti.
Në shkrimin e parë të publikuar në Peacefare.net të titulluar “Bad Deal”, Byrnes ka thënë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po provon që përmes Lidhjes Demokratike të Kosovës të rrëzojë, Albin Kurtin, nga pushteti.
Sipas ish-diplomatit, Thaçi synon më pas një koalicion mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike.
Në të njëjtën linjë shprehet edhe ish diplomati dhe analisti amerikan Daniel Serwer. Në një letër të hapur drejtuar presidentit Hashim Thaçi ai theksonte se”Qëllimi përfundimtar i Grenellit është shkëmbimi i territoreve dhe njerëzve gjë për të cilën administrata Trump po bën presion”. Ai i kujtonte Thaçit se “ju keni treguar shenja se mund ta pranoni” duke vërejtur se: “Një shumicë e popullsisë suaj, përfshirë serbët në jug të Ibrit, janë kundër kësaj ideje të pakuptimtë, e cila do ta bënte Kosovën një burim paqëndrueshmërie në të gjithë Ballkanin dhe më gjerë”.
Pra ,tashmë po bëhet përditë e më e qartë se rrëzimi i Albin Kurtit nuk po kërkohet as se fyeu Isa Mustafën dhe as për mustaqet e Agim Veliut, madje as për taksën, por sepse ai mbetet pengesa e vetme për të shmangur një marëveshje që bazohet tek coptimi i Kosovës./lapsi.al