Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Arben Vitia, konfirmoi të shtunën se numri i të infektuarve me koronavirus në Kosovë ka arritur në tre.
Të premten u konfirmuan dy rastet e para me koronavirus në Kosovë.
“Sapo janë identifikuar rastet e para me koronavirusin, qeveria ka marrë masa të reja. Sot, në këtë konferencë, me keqardhje ju njoftoj për një rast të ri. Bëhet fjalë për një të afërm të pacientit nga Stublla e Vitisë që u konfirmua dje me Covid-19”, tha Vitia.
Dy pacientët e konfirmuar të premten, janë një 77 vjeç dhe një 20 vjeçe, ndërsa i treti është 39 vjeç.
Naser Ramadani, nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, tha se gjendja e tyre është stabile.
Koronavirusi ‘zbraz’ Prishtinën
Vetëm një ditë pas, rrugët e Prishtinës duken të boshatisura dhe ata pak persona që kanë dalë, kanë vendosur maska mbrojtëse.
Burimi/Foto: REL/Ibrahim Berisha