Italia ka vendosur 16 milionë njerëz në karantinë derisa po lufton kundër shpërndarjes së koronavirusit.
Banorët në 15 provinca qendrore dhe veriore të Italisë duhet të marrin leje për të udhëtuar. Milano dhe Venediku janë tashmë të përfshira nga ky virus.
Shkollat, palestrat, pishinat dhe qendrat e skijimit do të mbyllen tërësisht si dhe të gjitha ngjarjet publike do të anulohen, tha kryeministri Giuseppe Conte.
Këto masa të jashtëzakonshme do të zgjasin deri më 3 prill.
Javën e kaluar, qeveria ka njoftuar për mbylljen e të gjitha shkollave dhe universiteteve për 10 ditë. Italia është vendi më i prekur Evropian nga virusi.
Numri i viktimave ka shkuar në 230 deri të shtunën, me më shumë se 36 viktima brenda 24 orëve. Numri i të prekurve ka shkuar në 5,883 të shtunën.
“Ne duam të garantojmë shëndet për qytetarët tanë. E kuptojmë se këto masa do të kërkojnë sakrifica, por na duhet të marrim përgjegjësi për veten”, tha kryeministri.
Nën masat e reja, banorët e rajonit të Lombardit nuk do të lejohen të hyjnë ose të dalin. Ky rajon ka 10 milionë banorë dhe Milano është qendra kryesore.
Deri më tash, 50 mijë persona janë prekur nga masat e karantinës në Italinë veriore.
Ndërkohë, Irani ka konfirmuar më shumë se 6 mijë të prekur dhe 145 viktima, në mesin e të cilëve edhe një ligjvënëse iraniane.
Më shumë se 100 mijë persona janë prekur nga ky virus në botë dhe rreth 3 mijë e 500 persona kanë humbur jetën.