E premte, 13 Dhjetor, 2024

Ditari i javës që ndryshoi Italinë. Psikoza që sëmur më shumë se sa virusi

Kishim bllokuar fluturimet nga Kina, për t’u mbrojtur nga një epidemi e largët 9000 kilometra dhe tani na kthejnë si bartës në aeroportin e Tel Avivit. Kishim iluzionin se ishim të sigurt – duke na u dukur madje pak raciste ideja që të fusnim në karantinë 2000 kinezët që ktheheshin në Prato – dhe tani gjendemi të burgosur të një makthi, ku cilido që flet dialektin milanez apo venecian, kur shkon në jug shihet edhe më me dyshim dhe alarm, se sa ata që në kohën e sulmeve mafioze vinin në Milano apo Palermo me një makinë të zezë me targa të Palermos.

Zona të kuqe, restorante të zbrazur, kisha të boshatisura, recesioni që troket tek dera. Si mundi të ndodhë e gjithë kjo, në kaq pak kohë? SI ndryshuam? Ku gabuam? Përse mbërritëm në këtë pikë? Të përpiqemi ta kuptojmë, me ditarin e javës së fundit: 7 ditët që ndryshuan Italinë.

E enjte, 20 shkurt. Dita zero

Janë 24 orët e fundit përpara shpalljes së luftës ndaj coronavirusit, një vigjilje që sot na duket shumë e largët. Ngjarja e ditës është sulmi në Hanau, ku një fanatik vrau 11 persona. Britania e Madhe ka deklaruar se do të mbyllë dyert për ata që nuk kanë në xhep një kontratë të mirë. Në Montecitorio, tema e ditës është lëvizja e Renzit që kërkon, duke lançuar zgjedhjen direktë të Kryeministrit, një qeveri institucionale. Në sfilatat e modës së larrtë në Milano, dilema është midis minifundit dhe fundit-pantallon. Nëpër bare flitet për goditjen e Atalantës që mundi Valencian në Champions League si dhe njëvendëshin e ri Mercedes, me timonin që shtyhet para dhe pas.

E premte, 21 shkurt. Dita e parë

Mëngjes: I infektuari i parë në Lombardi

“Një 30-vjeçar i shtruar në spitalin e Codognos, ka rezultuar pozitiv në testin e coronavirusit”. Ansa jep lajmin në orën 1 pa çerek të natës, por italianët e zbulojnë në mëngjes, sapo ndezin celularët. Nuk është rasti i parë, sepse ka edhe tre të tjerë, në atë kasafortën shëndetësore që është Spallanzani, por këtë herë i sëmuri nuk është një kinez, dhe as nuk është takuar me një kinez. Eshtë një 38 vjeçar që luan futboll, noton dhe vrapon në maratona. Duket se është infektuar prej një miku të kthyer nga Kina, një menaxher që bëhet menjëherë “pacienti zero”, i cili duhet gjetur. Por gjërat ndërlikohen me shpejtësi: i sëmuri ka infektuar tashmë bashkëshorten, mjekët dhe infermierët që e kanë vizituar dy herë, pa patur as edhe një maskë. Jo vetëm kaq, por nga Vo’ Euganeo – që ndodhet 212 km larg, në Veneto – vjen një lajm edhe më i keq: një i vdekur, me coronavirus. Edhe miqtë e tij kanë rezultuar pozitivë. Vatrat janë dy. Merren menjëherë kundërmasat e para: në 11 komuna mbyllen zyrat, shkollat dhe dyqanet. “Survejancë aktive me vetëizolim për ata që kanë rënë në kontakt me pacientë të çertifikuar si ozitivë”, urdhëron qeveria. Lega kërkon pezullimin e marrëveshjes së Shengenit, Palazzo Chigi përgjigjet që as nuk bëhet fjalë.

E shtunë, 22 shkurt. Dita e dytë

Mëngjes: 17 të prekur, 1 i vdekur, 2 rajone.

Gjërat ndërlikohen dhe jo pak. Numri i të prekurve rritet orë pas ore – ka një në Milano dhe një tjetër në Torino – dhe pa ardhur mbrëmja do të vijë dhe viktima e dytë. Eshtë një grua 77 vjeçare, e cila kish qenë në spitalin e Codognos në momentin e gabuar: në funeral do të merrte pjesë vetëm një i afërm, sepse funeralet janë vende të ndaluara.

Në meshë, vendet e ujit të shenjtë boshatisen për të shmangur infeksionet, buka në dorë dhe jo në gojë dhe nuk ka shtrëngim duarsh: shenja e paqes është bërë e rrezikshme. Qeveria urdhëron mbylljen me një kordon sanitar të 10 komunave: lindin “zonat e kuqe” për të burgosur coronavirusin. Kush provon t’i shkelë rrezikon arrestimin deri në tre muaj. “Nuk do e transformoj Italinë në një vend të izoluar për leprozë”, siguron Conte. Me të bërë testet, zbulohet se pacienti zero nuk është pacienti zero. Cilido qoftë, tashmë gjetja e tij nuk është më themelore.

Në klasifikimin e epidemisë jemi në vend të 11, para Vietnamit dhe pas Kinës, Koresë së Jugut, Japonisë, Singaporit, Hong Kongut, Tailandës, Taivanit, Malajzisë, Australisë dhe Iranit.

E diel, 23 shkurt. Dita e tretë

Mëngjes: Të prekur 64, të vdekur 2, rajonet 5

“Pennet” janë të vetmet makarona që gjenden në rasftet e supermarketeve milaneze, pas mësymjes së atyre që druhen se duhet të qëndrojnë gjatë në shtëpi. Nga një supermerkatë shihet një zonjë që del me 54 litra ujë mineral në karrocë. E mbaruar në farmaci, Amuchina shitet në Amazon me 25 euro, ndërkohë që maskat me filtër antivirus gjallërojnë tregun e zi: në eBay ka nga ata që përpiqen t’i shesin për 500 Euro njërën (por ka nga ata që i blejnë për 50). Gjashtë kryebashkiakët e Ischias ndalojnë ardhjen e lombardëve dhe venecianëve, por prefekti anullon urdhërat e tyre. Në Lauro, në Irpinia, futen në karantinë miqtë dhe të afërmit e tre bashkëfshatarëve të ardhur pasi kishin dalë fshehuraz nga Codogno.

Conte vendos se ka ardhur koha të bindë italianët se nuk ka asnjë emergjencë. “Paniku është i pajustifikuar”, thotë ai. “Kishim një plan dhe po e vëmë në zbatim. Duhet të besoni. Popullsitë në vendet e prekura duhet të rrijnë të qeta”.

“Nuk ka arsye të dramatizojmë, duhet të shmangim krijimin e alarmizmave të mëdha”, përsërit në të gjithë emisionet. Në apelin e dhjetë, italianët kuptojnë se duhet të përgatiten për më të keqen.

E hënë, 24 shkurt. Dita e katërt

Mëngjes: Të prekur 149, të vdekur 3, rajonet 5

Virusi i frikës godet bursat. Ajo italiane goditet më keq (-5.4%), por aroma e panikut përshkon Evropën dhe mbërrin deri në Nju Jork. Në Milano mund të parkosh më rehat se sa në mes të gushtit. Restorantet janë të shkretë, shkollat dhe universitetet të mbyllura, kinematë po ashtu, zyrat gjysmë të boshatisura. Tek Vodafone, 90% e drejtuesve dhe të punësuarve shkojnë të punojnë nga shtëpitë: frika ka bërë të pranueshme atë që dikur quhej telelavoro. Conte kërkon dhe merr votat e opozitës për dekretin kundër coronavirusit.

E martë, 25 shkurt. Dita e pestë

Mëngjes: Të prekur 229, të vdekur 7, rajonet 6

Tani jemi të tretët, në shkallën e përhapjes. Në Mauritius 40 italianëve u kërkohet që të kthehen mbrapsht, në Tenerife testimi pozitiv i një çifti nga Piaçenza bën që të futet në karantinë hoteli me një mijë turistë. Iraku, Kuvaiti, Jordania dhe Sejshellët ndalojnë hyrjen e italianëve. E gjithë bota tashmë na sheh me dyshim: kemi përfunduar në listën e zezë.

Pronarët e hoteleve janë të dëshpëruar: 40% e prenotimeve janë anuluar tashmë. Guvernatori Fontana, i cili një ditë më herët nuk përjashtonte masa drastike si në Vuhan, bën një hap pas: “Eshtë thjesht diçka më shumë se sa një grip normal”, deklaron ai. Conte bën bashkë guvernatorët në një videokonferencë. “Kemi tre imperativa: të bashkëpunojmë, të bashkëpunojmë, të bashkëpunojmë”, thotë ai por kur përsërit se në spitalin e Codognos nuk kanë zbatuar protokollet, Fontana shkëput lidhjen dhe largohet.

E mërkurë, 26 shkurt. Dita e gjashtë

Mëngjes: të prekur 325. Të vdekur 11, rajonet 9

Hyn në krizë ajo frikë që Giorgio Agambem, filozofi më i njohur italian e kishte lexuar në ndërgjegjen e italianëve “dhe që përkthehet në një nevojë për gjendje të një paniku kolektiv, për të cilën epidemia ofron sërish një pretekst ideal”. Tani përhapet frika e frikës. Bursa vazhdon rënien, turizmi rrezikon katastrofën, shumë fabrika janë një hap larg ndaljes. Kardinali Scola siguron se ky “nuk është një ndëshkim hyjnor”. Conte: “Milano me drita të fikura nuk i pëlqen askujt. Rihapeni këtë qytet”.

Rajoni shfuqizon urdhërin për t’u mbyllur në orën 18.00 për baret, qyteti rifillon të jetojë, ndonëse me drojë.

E enjte, 27 shkurt. Dita e shtatë

Mëngjes: Të prekur 456, të vdekur 12, rajonet 12

Lajmi i mirë është se më shumë se 40 të prekur janë shëruar tashmë. Lajmi i keq është se janë bërë 11 vendet ku ndalohet hyrja e italianëve. I fundit është Izraeli, që ka kthyer mbrapsht në aeroport një avion të nisur nga Bergamo. Sigurisht që nuk ka ndihmuar videomesazhi në internet nga Fontana, ku guvernatori i Lombardisë mban një maskë kirurgjike për të shpallur se është futur në vetëizolim për dy javë, pasi ka zbuluar se një bashkëpunëtore e tij është prekur nga coronavirusi. “Kur të më shihni kështu ditët e ardhshme mos u frikësoni, jam gjithnjë unë”, thotë në video, e cila përfundon deri tek Al Jazeera. Nëse donte të jepte siguri, ka shkaktuar efektin e kundërt.

Por, nga sot e tutje tamponët nuk do të jenë më për ata që nuk kanë simptoma. Dhe do të komunikohen, sipas drejtorit të Spallanzanit, “vetëm rastet që kanë rëndësi klinikisht, ose më saktë pacientët që janë në reanimacion apo kanë ndërruar jetë, siç ndodh në vendet e tjera të botës”.

Dhe kushedi nëse kjo aritmetikë e sinqertë do të na ndihmojë që t’i rikthehemi përditshmërisë pa panik, të cilën e braktisëm 7 ditë më parë. / LA REPUBBLICA – Bota.al

Të fundit