E shtunë, 12 Tetor, 2024

LAJME TË MIRA NGA BRUKSELI: DRITË JESHILE PËR METODOLOGJINË E RE, PRITET DATË PËR SHKUPIN DHE TIRANËN

Autore: Erisa Zykaj

“Drita jeshile për metodologjinë e re të zgjerimit nuk është dritë jeshile automatike për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”. Ky është qëndrimi që kanë përcjellë ministrat e jashtëm të Holandës dhe Francës pas prezantimit të metodologjisë së rishikuar të zgjerimit të Komisionit Evropian në takimin e ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian në Bruksel. Kërkohet unanimitet në gjirin e 27 vendeve anëtare për metodologjinë e re dhe vlerësim pozitiv nga Komisioni Evropian i reformave të shtetit ligjor, gjyqësorit dhe reformës zgjedhore në Shqipëri dhe Maqedoninë  e Veriut.

LEXO

JA METODOLOGJIA E RE E ZGJERIMIT

“Ne sot kemi folur për metodologjinë e re të zgjerimit të Komisionit Evropian me kritere më të rrepta lidhur me korrupsionin dhe shtetin ligjor. Metodologjia e re mbështet nga Holanda. Por nuk kemi folur për reformat në dy vendet. Ne presim së pari raportin e Komisionit Evropian për të pasur një qëndrim të qartë”, ka thënë Stef Blok, ministër i jashtëm i Holandës

Ai ka konfirmuar se metodologjia e re e mbështet, por kjo nuk do të thotë dritë jeshile për dy vendet.

“Qartësisht, nuk ka ende dritë jeshile për dy vendet. Drita jeshile vjen kur të përmbushen kriteret. Për Holandën, Maqedonia e Veriut ka përmbushur kushtet, por për Shqipërinë presim më shumë rezultate”, ka thënë Blok.

Amélie de Montchalin, sekretare e shtetit francez për çështjet evropiane, ka deklaruar: “Komisioneri Varhelyi na tha që do të na prezantojë ditët e ardhshme vizionin e Komisionit mbi reformat e shtetit ligjor, gjyqësorin, reformën zgjedhore në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut. Ne presim këto raporte. Ai na prezantoi metodologjinë e re. Franca është shumë e kënaqur me këtë metodologji. Pozicioni i Francës është i thjeshtë. Nëse kemi një marrëveshje të 27 vendeve anëtare për metodologjinë e re të Komisionit Evropian dhe nëse raporti i Komisionit Eurvpian flet për konsolidimin e progresit në reforma që kemi kërkuar në qershor të 2018, atëherë ne mund të marrim një vendim brenda një kuadri të ndryshëm nga ai i tetorit të vitit të shkuar”.

Edhe presidenca kroate pret raportin e Komisionit Evropian për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në fillim të marsit.

Maros Sefcoviq, zv/president i Komisionit Europian, tha: “Metodologjia e re e Komisionit Evropian u mirëprit nga të gjitha shtetet anëtare. Një mbështetje vërtet e madhe për metodologjinë, si edhe mbështetje për tre shtyllat ku ajo bazohet, përfshirë hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe fokusi për reformat ekonomike”

Andreja Metelko- Zgombiç, sekretarja e shtetit për çështjet europiane të Kroacisë, njoftoi se “atë për të cilën ramë dakord, është që kur të marrim  raportin e rifreskuar të Komisionit Evropian mbi  progresin zhvillimet e fundit në Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, atëherë do kemi një diskutim që mund të na ndihmojë në arritjen e një vendimi pozitiv për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”.

Ministri i shtetit gjerman për Europën, Michael Roth, tha:“ Shpresojmë që mund t’i përmbahemi premtimeve tona dhe të dërgojmë një sinjal pozitiv për zgjerimin me vendet e Ballkanit. Presim që raporti i Komisionit Evropian mbi zhvillimet e fundit lidhur me reformat luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut të përbëjë bazë të mirë për marrjen e vendimit lidhur me të dyja vendet. Mbetemi optimist”.

Interesi kryesor i shteteve anëtare kritike për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, si Holanda, Franca dhe Danimarka për progres-raportin e Komisionit Evropian është ecuria e reformave lidhur me forcimin e shtetit ligjor dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri.

 

Autorja është korrespondente e TV Klan Maqedonia nga Brukseli

Të fundit