Autor: Xhelal NEZIRI
Nga episodet e shumta të dramës “Ligji për Prokurori Publike” qytetarët edhe një herë u bindën se drejtësia në Maqedoninë e Veriut gatuhet në selitë partiake. Grupet punuese të LSDM-së së Zoran Zaevit në pushtet dhe VMRO-DPMNE-së së Hristian Mickovskit në opozitë gati një vit negociojnë, bisedojnë, debatojnë e nuk arrijnë të merren vesh për formën dhe përmbajtjen përfundimtare të ligjit, i cili duhet të precizojë drejtimin e funksionimit të drejtësisë në vend. Dallimet që kishin të bëjnë me të ardhmen e Prokurorisë Speciale Publike (PSP), prokuroreve të këtij institucioni hetues i formuar në vitin 2015 dhe me atë se kush duhet e kush nuk duhet ta drejtojë prokurorinë dhe departamentin e krimeve të rënda, u tejkaluan me pranimin e amendamenteve të opozitës.
Por, çështja ngeli te e ardhmja e materialeve të përgjuara ilegalisht, apo të atyre të siguruara nëpërmjet rrugëve ilegale të cilat, sipas nenit 110 i Ligjit të prokurorisë publike, nuk mund të përdoren si bazë për ngritjen e padive. Këtu përjashtim bëjnë lëndët që tani më i ka kompletuar PSP-ja për të cilat deri më 30 qershor të vitit 2017 – aq sa lejon Ligji i PSP-së – ka ngritur padi ndaj të dyshuarve. Përjashtimi dytë bëhet për materialet nga përgjimet ilegale deri më 15 shtator të vitit 2019, të cilat do të mund të përdoren vetëm si indicie, pra si tregues për shkelje të ligjit që duhet hetuar më tej për të mbledhur material të bollshëm për ngritjen e padisë. Përveç këtyre përjashtimeve, ekspertët juridikë paralajmërojnë se lihet hapësirë për interpretime të ndryshme të formulimeve “materiale nga përgjimet ilegale” dhe “materiale nga përgjime të siguruara nëpërmjet rrugëve ilegale”.
Shihet se propozuesi, pra qeveria, me një ndërhyrje të mprehtë tenton të bëjë zgjedhjen e lëndëve që burojnë nga materialet e përgjuara ilegalisht dhe padive që duhet të ngritën. Ose thënë troç – me këtë zgjidhje në mënyrë të tërthortë zgjedhen se kush do të ndiqet penalisht e kush do të amnistohet me marifete tekstuale e terminologjike të bazuara në ligj.
Ligji i Prokurorisë Publike është ndryshuar dhe plotësuar plot pesë herë që nga miratimi i parë nga Parlamenti i Maqedonisë së Veriut në vitin 1992. Ndryshimet në vitin 2007 u tha se ishin rezultat i “përpjekjeve të vendit për t’u harmonizuar me Amendamentet, detyrimit për ta harmonizuar legjislacionin tonë dhe përcaktimit për t’u integruar në strukturat euro-atlantike”. Ligji i ndryshuar e i plotësuar synonte të sigurojë përparimin dhe forcimin e pozitës së Prokurorit Publik në sistemin e drejtësisë penale, forcimin e pavarësisë dhe rritjen e kapaciteteve për përballjen me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Se çka ndodhi më pas, u pa e u dëgjua nga materialet e përgjuara e që sot janë mall i aksham-pazarit të politikës në Shkup.
Është kjo edhe një shfaqe e drejtësisë së kurdisur partiake, ku persona të fuqishëm të biznesit dhe politikës bëjnë formulime, ndryshime e bisedime që ligji të mos i kapë ato. Kjo me definicion quhet oligarki – kur një grup njerëzish ndryshon ligje, rregulla e norma në bazë të interesave të tyre, e që do të vlejnë vetëm për qytetarin e rëndomtë. Është ky edhe një rast klasik i drejtësisë selektive, e cila u shërben oligarkëve të fuqishëm korruptiv t’i nënshtrojnë qytetarët e rëndomtë, të lodhur nga ky lloj i drejtësisë.
Është përsëritur disa herë nga burrështetas të ndershëm se “drejtësia selektive është padrejtësi” apo se “drejtësia selektive është e njëjtë me mungesën e drejtësisë”. Njëjtë si në 2007, edhe tani ndryshimet përligjen me bindjen e Komisionit Evropian (KE) që të përsërisë rekomandimin për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE dhe me impresionizmin e presidentit francez Emanuel Macron që të mos përdorë sërish veton si në tetor të vitit të kaluar.
Sidoqoftë, anëtarësimi në NATO dhe fillimi i bisedimeve me BE-në do të ishte shpresa më e madhe e qytetarit të lodhur nga padrejtësitë në Maqedoninë e Veriut se – më në fund – të gjithë do të jemi të njëjtë para ligjit. Askush nuk guxon ta shuajë këtë shpresë. /KDP