Nënshkruhet në Mynih në kuadër të Konferencës së Sigurisë marrëveshja për hekurudhën dhe autostradën Serbi-Kosovë në prani të presidentit Thaçi, atij serb, Aleksandar Vuçiq dhe ambasadorit amerikan, Richard Grenell, njofton DW, përcjell KDP.
Në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih u nënshkrua të premten marrëveshja për hekurudhën dhe autostradën Serbi-Kosovë në prani të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, atij serb, Aleksandar Vuçiq dhe ambasadorit amerikan, Richard Grenell.
Ambasadori Grenell tha, se e sheh nënshkrimin e marrëveshjeve si hap për përqëndrimin në zhvillimin ekonomik. Grenell shprehu mirënjohjen që kemi arritur në këtë pikë, ky ishte fokusi- me të cilin ishin dakord edhe presidentët që në fillim, si mund të ecim përpara në zhvillimin ekonomik, tha ai. Grenell theksoi, se dhënia shpresë për të ardhmen ndryshon gjendjen. Kuptimi i gjithë kësaj janë vendet e punës. Kjo marrëveshje, sipas tij, dërgon një mesazh tek biznesi në SHBA e në Europë që të vijnë në rajon e të japin kontribut për zhvillimin.
Kurse presidenti Thaçi falënderoi ambasadorin Grenell për punën e shkëlqyer për arritjen e marrëveshjes. Ajo është një hap tjetër progresi pas arritjes së marrëveshjes për linjat ajrore, tha Thaçi. Kjo marrëveshje është mesazhi më i mirë, se rajoni do të ketë paqe, zhvillim, vende pune, ajo që u duhet njerëzve në Kosovë, Serbi e Ballkanin Perëndimor. Kosova beson në lidershpin e presidentit Trump dhe ambasadorit Grenell që gjatë kësaj periudhe e këtij viti mund të arrihet arrihet marrëveshje përfundimtare paqësore, Kosovë-Serbi, theksoi presidenti i Kosovës.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq në fjalën e tij para nënshkrimit të marrëveshjes në Mynih falënderoi presidentin Trump dhe ambasadorin Grenell për angazhimin e tyre për çështjet në Ballkanin Perëndimor dhe mbështetjen e interesimin për një liri të rëndësishme në lëvizjen e lirë të mallrave, kapitalit e njerëzve në Ballkanin Perëndimor. Ishin negociata të vështira me Prishtinën, por me interesimin e presidentit Trump u arrit kjo marrëveshje, që është në të mirë të njerëzve në Ballkanin Perëndimor. Ne si palë serbe e mbështesim këtë. Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes ishte pjesë edhe ambasadori i Kosovës në Prishtinë, Philipp Kosnet.
TAKIMI PARAPRAK ME GRENELL
Nënshkrimi vjen pas takimeve me krerët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq si dhe kosultimeve të mëparshme të ekipeve të këtyre dy vendeve. Kjo marrëveshje është në fakt një letër e qëllimeve të mira për hapjen e hekurudhës Beograd – Fushë Kosovë. Presidenti i Kosovës, Thaçi i tha Deutsche Welles se takimi i mbajtur mbrëmë me ambasadorin Grennell ishte shumë konstruktiv dhe i frytshëm. Thaçi dhe Grenelle, si dhe më parë Vuçiq dhe Grenell, në takime të ndara, kanë rënë dakord që kjo marrëveshje të nënshkruhet. Por Thaçi tha se me ambasadorin Grennell është biseduar edhe për arritjen e një marrëveshje finale me Serbinë, e cila do t’i „sillte Kosovës anëtarësimin në Organizaten e Kombeve të Bashkuara dhe njohjen reciproke.”
Presidenti Thaçi tha se në takim është biseduar për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe hapat e ardhshëm drejt arritjes së marrëveshjes finale për njohje reciproke. Thaçi është i bindur se ky dialog do të sjellë paqe dhe përparim dhe rajon. Më parë Grenell bisedoi edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili në veçanti nënvizoi vendosmërinë e Grenellit për heqjen e taksës ndaj mallrave serbe. Vuçiq tha se heqja e taksës është kushti për vazhdimin e dialogut me palën kosovare. Presidenti serb u shpreh i gatshëm për vazhdimin e bisedimeve, por bisedimet, sipas tij, nuk do të jenë fare të lehta. Presidentët e Kosovës dhe Serbisë nuk përjashtojnë mundësinë që këtë vit të arrihet ndonjë marrëveshje finale mes palëve, por asnjëra palë nuk është tepër optimiste, se kjo do të arrihet.
KONFERENCA E MYNIHUT – KURTI E VUÇIQ PËR HERË TË PARË BALLË PËR BALLË
Do të jetë kjo hera e parë që kryeministri i ri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq do të ulen së bashku në një panel. Por në panelin që mbahet pasditen e së premtes (14.02.) do të jenë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ai i Malit të Zi Milo Gjukanoviq, shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell. Në këtë panel nuk është e parashikuar të flasë para publikut edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. Ky panel është parashikuar të zhvillohet me dyer të mbyllura.
Kryeministri Albin Kurti i bëri thirrje të enjten presidentit Thaçi që të koordinojnë aktivitetetet në Mynih dhe të dalin me pozicione unike në takimet e shumta që do të kenë në Konferencën e Mynihut e cila zgjat deri ditën e dielë. Kurti pohon se ai do që me presidentin aktual të „konsultohet e koordinohet për punët e shtetit”. Në letrën dërguar presidentit, Kurti thotë se duhet unifikuar “kapaciteti ynë intelektual e patriotik.”
Por vetëm pak minuta pas ftesës së Kurtit erdhi edhe përgjigja e kabitetit të presidentit Thaçi, ku thuhet se “presidenti është nisur për në Gjermani”. Presidenti i Kosovës Thaçi dhe kryeministri Kurti takohen në Mynih, ndër tjera, edhe me ambasadorin amerikan Richard Grenell, i cili është i ngarkuar i SHBA për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Presidenti Hashim Thaçi ka njoftuar se në Gjermani do të takohet me dy senatorët amerikanë – Ron Johnson e Chris Murphy, të cilët gjatë vizitës së tyre të fundit në Prishtinë, kërkonin që Kosova dhe Serbia të bëjnë sakrificë për arritjen e marrëveshjes finale. Presidenti do të takohet edhe me Ndihmës sekretarin e Departamentit të Shtetit, Philip Reeker, Drejtorin Politik të Ministrisë së Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Richard Moore, Ministrin e Jashtëm të Sllovakisë, Miroslav Lajcak (i cili është përmendur edhe si kandidat i mundëshm për postin e përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian në dialogun Prishtinë-Beograd).
Nga burimet e DW mësojmë se takime të ngjeshura me shumë kryeministra dhe ministra të jashtëm do të ketë edhe kryeministri i ri Kurti, por ai deri tani nuk e ka publikuar zyrtarisht agjendën e tij. Kurti do të vijë më vonë në Mynih, pasi të enjten ka pasur aktivitete edhe në Prishtinë. Deri tani nuk dihet, nëse kryeministri dhe presidenti do të kenë konsultime eventuale në Mynih, para takimeve dhe panelit të së premtes.
Temat kryesore në Konferencën e Sigurisë, të cilën e organizon për vite me radhë ish-diplomati gjerman Wolfgang Ischinger (dikur edhe përfaqësues i BE-së në dialogun e Vjenës mes Kosovës dhe Serbisë), sivjet do të jenë çështjet më delikate të sigurisë në botë. Ndër pjesërmarrësit është edhe presidenti i Gjermanisë Frank-Walter Steinmeir (deri tani nuk ka të dhëna se në konferencë do të vijë edhe kancelarja Angela Merkel), presidenti i Francës Emanuelle Macron, ministri i Jashtëm amerikan Pompeo, ai rus Lavrov, presidenti i Ukrainës Selenskyj, shumë politikanë të njohur gjermanë, evropianë dhe botërorë.