E enjte, 12 Shtator, 2024

BLOFE DHE LOJËRA PA KUFI NË PARLAMENT: “DRAMA” E FUNDIT E PARTNERËVE TË KOALICIONIT

Pavarësisht nga përplasjet e orëve të fundit mbi votimin e ligjeve para shpërbërjes së parlamentit, duket se LSDM dhe BDI i kanë ulur tonet e akuzave. Të dy partitë kanë theksuar se nuk ka krizë mes partnerëve, ndërkohë që paraprakisht nuk kanë munguar akuzat. 

Analizë KDP

Ligji për Prokurorinë Publike, Kodi Zgjedhor dhe disa ligje tjera kanë shkaktuar përplasje mes partnerëve të koalicionit LSDM dhe BDI. Përplasjet në dukje të zakonshme, ndërkohë kanë shkuar larg saqë nga përfaqësues të LSDM-së është theksuar se mund të krijohet përbërje e re qeveritare pa BDI-në dhe zgjedhjet të shtyhen e të mbahen në afatin e rregullt.

Brenda kohës kanë vazhduar akuzat dhe kundër akuzat mes partnerëve të koalicionit. Kryeministri teknik Oliver Spasovski ka deklaruar se nuk mund të ketë shpërbërje të kuvendit pa miratimin paraprak të ligjeve, duke aluduar në Ligjin për Prokurorinë publike dhe Këshillit të Prokurorëve.

“Prioritet është që të miratohen ligjet, dhe jo të shkohet në zgjedhje dhe kjo duhet të jetë primare për të gjitha partitë politike, nuk mund prioritet të jetë çfarëdo qoftë interesi politik. Relacionet me BDI-në janë korrekte, ashtu siç e kemi filluar koalicionin me ta, ashtu edhe do e përfundojmë, nuk pres që të ketë mospajtime dhe shtyrje eventuale të miratimit të ligjeve në rast se vjen deri tek kjo atëherë do të mendojmë për një partner të ri të koalicionit. Kur ofrohen zgjedhjet, gjithmonë ka tensione. Tensionet në Kuvend janë vetëm për përfitime politike. Takim liderësh do të shohim nëse do të ketë dhe kur do të ketë, ndërkohë që shpërbërje të Kuvendit nuk mund të ketë pa miratimin e Ligjeve”, ka deklaruar Spasovski.

Paraprakisht, sekretari gjeneral i LSDM në një emisionin televiziv ka theksuar se në rast se ka obstruksione në Kuvend, atëherë LSDM do të krijojë shumicë të re dhe do të shkojë në zgjedhje të rregullta në dhjetor, e jo më 12 prill. Ndaj këtij qëndrimi, ndërkohë ka reaguar kryetari i Kuvendit nga radhët e BDI-së, Talat Xhaferi, i cili ka theksuar se “nuk janë të martuar me LSDM”. “Nëse duan shumicë kuvendare, duhet të vinë dhe të thonë, dhe jo të diskutojnë përmes meje. Le të sqarojnë pse para gjashtë muajve u dakordësuan të ketë zgjedhje më 12 prill. Nëse duan zgjedhje, nëse duan shumicë, le ta thonë. S’jemi të martuar”, ka theksuar Xhaferi.

Por, duket se “xixat” e kësaj përplasje ndërkohë kanë marrë një kahje tjetër të normalizimit. Përfaqësues të BDI-së kanë theksuar se janë të gatshëm t’i votojnë ligjet për të cilët janë dakorduar me partnerët e koalicionit.

Artan Grubi, deputeti i BDI-së ka theksuar se partia e tij, ka qenë faktorë kryesore që jemi këtu ku jemi. Sipas tij,  BDI-ja është shkaktare që ne jemi afër anëtarësimit në NATO. Ai ka theksuar se nuk ka asnjë mos marrëveshje me LSDM-në. Ai tha se BDI-ja nuk e kushtëzon ligjin për PP dhe ftoi që i njëjti të vendoset në rend dite dhe do të votohet nga BDI-ja. Ai ka theksuar se nëse ligji vendoset në rend dite edhe Ali Ahmeti do të vijë nga Kërçova për të votuar. Sipas tij, që të mos ketë vonesa do të votohet edhe për shkarkimin e ministres dhe në fund të votohet për shpërbërjen e Kuvendit.

Me gjasë këto përplasje mes dy partnerëve të koalicionit do të vazhdojnë deri në momentin e fundit, përkundër faktit që janë dakorduar për t’i miratuar ligjet në Kuvend. Dramat politike para shpërbërjes së parlamentit duket se janë mini beteja politike për pikë politike para fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 12 prillit.

Të fundit