Shkëlzen Maliqi, pati botuar shumë herët, më 1990, në shqip e serbokroatisht librin ‘Nyja e Kosovës – As Vllasi as Milosheviqi’. Zhvillimet e këtyre tre dhjetëvjeçarëve i japin katërcipërisht të drejtë. Ama zgjidhja e nyjës kosovare, vazhdon të jetë aktuale edhe sot e kësaj dite. Pyetja që tani shtrohet është kujt do t’i bjerë për hise ta bëj këtë? Albin Kurti e Aleksandar Vuçiqi?
Autor: Seladin Xhezairi
1. Në Serbi, dy emra të njohur, Boshko Jakshiq dhe Boris Varga, të dy brezave të ndryshëm, këto kohët e fundit po i mëshojnë tezës se presidenti Aleksandar Vuçiq e ka tagrin për të firmosur atë marrëveshjen e shumëdëshiruar për Kosovën. I pari, këto ditë duke folur për median kroate ka nënvizuar se Vuçiq është në kthetrat e Perëndimit, po besa edhe të Putinit: “Perëndimi po e tërheq për arsye pragmatike duke i mundësuar vazhdimin e jetës politike. Vuçiqi dhe partia e tij janë projekt I bërë me mbështetjen e Perëndimit me qëllim që të ‘livrojnë’ Kosovën dhe t’i japin fund kësaj meseleje. Ai e din se atyre të cilët i mundësuan të jetë ky që është edhe u ka shumë borxh. Mirëpo, ai shpeshherë është joracional. Kur takohet me Putinin ose Medvedevin ai shkrihet si ameba”,- ka deklaruar analisti i njohur beogradas. Politikologu Boris Varga, ndërkaq fundjavën që lamë pas, njësoj si dhe Jakshiqi, më tha se Vuçiqi është ai që ka tagrin për të zgjidhur nyjën kosovare: “Për shkak të përzierjes së fundit të Serbisë në ngjarjet në Mal të Zi, Perëndimi në të ardhmen ka për të këmbëngulur edhe më intensivisht dhe më me vendosmëri për një marrëveshje juridikisht të detyrueshme ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Pa marrë parasysh përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje, Serbia, në njëfarë mënyre di të detyrohet ta njohë Kosovën dhe të mos e pengojë atë në zhvillimin e shtetshmërisë së saj. Problem është se prapa kundërshtimit të njohjes së pavarësisë së Kosovës qëndron edhe Rusia të cilës nuk i përgjigjet që çështja të zgjidhet njëherë e përgjithmonë”,- thotë Varga. Ndërkohë, pa telashe, duket se nuk ka për të qenë as pala kosovare. Kryeministri i ri karizmatik, Albin Kurti ndodhet, këtë të martë, në Tiranë. Udhëtimin e tij të parë si shef i ekzekutivit mbase ia ka vështirësuar mesazhi i një dite më parë i zëdhënësit të dërguarit të posaçëm të Presidentit amerikan për dialogun, ambasadori Richard Grenell. Ai tha se është kundër masave të reciprocitetit, që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka paralajmëruar kundër Serbisë. Zëdhënësi i tij, Dick Custin, tha për Radion Evropa e Lirë se Grenell e inkurajon Kosovën që ta heqë taksën 100% ndaj prodhimeve të importuara nga Serbia, pa reciprocitet: “Kosova duhet ta heqë taksën ndaj mallrave të Serbisë, pa reciprocitet. Jo vetëm ta pezullojë, por ta heqë plotësisht atë,”- citohet të ketë thënë Custin për radion prestigjioze. Politika thonë është art i së mundshmes! Të presim e të shohim!
2. Po, politika është mbi të gjitha interes: Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kanë bërë një krushqi që, dhashtë Zoti, e ia shohin hajrin. Ata që kanë përcjellë rrugëtimin dhe peripecitë e deritashme të këtyre dy forcave dhe (in)tolerancën e deridjeshme, nuk hezitojnë t’i rekomandojnë moton këtij koalicioni parazgjedhor: “Për fe e atdhe”! Ditëve në vazhdim, mbase duhet pritur edhe “ndonjë krismë n’Paris” për ngjeshjen e radhëve në opozitën e mbetur apo, pse jo, edhe ndonjë përafrim me LSDM-në kreu i së cilës ka bërë edhe grishje publike për paraqitje në një front – në kërkim të votove shqiptare. Asgjë për t’u habitur, kanë thënë të moçmit: ‘Qari e zarari janë vëllezër’!
3. Qeverisë teknike sikur po i ushtojnë shekët! Formula e zbuluar nga Marrëveshja e Përzhinës, pas megaskandalit të Përzhinës, po shkrihet, dita-ditës, si akulli n’pranverë! VMRO-istët në dikasteret qeveritare, të vetëdijshëm se kanë ardhur ‘me kulaç pas brezit’ janë duke bërë atë që munden vetëm e vetëm për të ‘demaskuar të kuqtë’: Firmosin firmane shkarkim-ngarkimesh, përdorin emrin jokushtetues të vendit, pa çka se nga Tirana, të dyja krahët e politikës shqiptare, përmes kanaleve të tyre janë interesuar për këtë formulë magjike që do prodhojë zgjedhje të mirorganizuara! ‘Nuk është diell për vëllanë e as yrnek për fuqinë!’- më tha një mik imi kur e pyeta për qarin e kësaj pune. /KDP