E hënë, 28 Prill, 2025

INTERVISTË – KATI PIRI, EURODEPUTETE: METODOLOGJIA E RE DO TË SJELLË PËRFITIME PËR VENDET ASPIRANTE

Euro-deputetja holandeze, Kati Piri deklaron deklaron se, përveç përfitimeve financiare, metodologjia e re e zgjerimit bën të mundur penalizimin e regresit në lirinë e shtypit dhe shtetit ligjor në vendet e Ballkanit. Por sipas Piri, grupimi socialist dhe demokrat në Parlamentin Evropian  dëshiron më shumë fokus në çështjet sociale dhe të mjedisit për qytetarët e Ballkanit në metodologjinë e re të Komisionit Evropian.

 

Intervistoi: Erisa Zykaj

Si e vlerësoni metodologjinë e rishikuar të Komisionit Evropian për zgjerimin? A përkon me 10 propozimet e grupimi socialist dhe demokrat në Parlamentin Evropian?

Kati Piri: Ne shohim qartësisht hapa pozitivë në metodologjinë e re të Komisionit Evropian për zgjerimin. Grupimi socialist dhe demokrat në Parlamentin Evropian mbështet zgjerimin dhe mendojmë që shtrirja e prosperitetit dhe demokracisë në të gjithë kontinentin evropian është shumë e rëndësishme. Ne shohim një vëmendje më të madhe në reformat e shtetit ligjor dhe lirisë së medias, që janë çështje që ju interesojnë qytetarëve të Ballkanit. Ata duan që vendet e tyre të ecin përpara. Si socialdemokrate, do të kisha dashur të shihja një plan pak më ambicioz lidhur me çështjet sociale për qytetarët e Ballkanit.  Ne në Bashkimin Evropian po transformojmë ekonomitë tona për shkak të ndryshimeve klimaterike. Por ndërkohën ne shohim që 5 qytete në Ballkanin Perëndimor janë ndër më të ndoturat në botë. Qytetarët e Ballkanit meritojnë shëndet të mirë, ajër të pastër, ujë të pastër. Do kishte qenë mirë nëse në propozimin e Komisionit do kishte më shumë angazhim për këtë. Qytetarët e Ballkanit që punojnë me kohë të plotë nuk kanë një pagesë që bën të mundur një jetë dinjitoze. Nëse ne nuk fokusohemi te kjo, atëherë çfarë sjell zgjerimi për qytetarët e Ballkanit ? Ne si socialdemokratë përfaqësojmë 10 qeveri ndër 27 qeveritë e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe do insistojmë që kjo gjë të jetë në fokus. Si pikë të tretë, ne mbështesim dhënien e një asistence financiare më të madhe për vendet e Ballkanit, edhe pse nuk është e qartë se në çfarë niveli është . Do kishim dashur të shihnim që nëse një vend bën progres, të mund të përfitonte nga fondet strukturore, apo fondet e kohezionit. Ato fonde që mund të përshpejtojnë procesin e anëtarësimit.

 

Metodologjia e re e parashikon më shumë përfshirje  të shteteve anëtare për vlerësimin e zbatimit të reformave. E mirëprisni këtë ?

Kati Piri: Tërësisht. Ne mund të ëndërrojmë sa të duam këtu në Bruksel. Në fund të fundit janë shtetet anëtare ato që bllokojnë zgjerimin. Nëse ne i angazhojmë parlamentet e vendeve anëtare që në fillim të procesit lidhur me kushtet që vendet kandidate duhet të zbatojnë, atëherë kjo mund të ndryshojë dinamikën e zgjerimit. Pra, jo thjesht t’u kërkojmë në fund që ato të thonë “PO”. Por, të mundësojmë që të gjitha instancat të jenë më të përfshira në procesin e zgjerimit. Kjo do evitonte vendosjen e kushte të reja sa herë duhet të merret një vendim, gjë që nuk e bën procesin shumë të ndershëm”

 

A do bindte kjo shtetin tuaj anëtar, Holandën, Francën dhe Danimarkën për hapjen e negociatave të anëtarêsimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ?

Kati Piri: Parlamenti holandez ishte në favor të hapjes së negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut. Problemi ishte me Shqipërinë. Cilat janë shqetësimet e qytetarëve holandeze? Janë dy. Njëra prej tyre ka të bëjë me pasojat e zgjerimit me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore. Shumë qytetarë të këtyre vendeve erdhën në vendet Perëndimore, duke krijuar konkurrencë në gjirin e ndërmarrjeve perëndimore në uljen e rrogave. Prandaj, investimi në të drejtat sociale është shumë i rëndësishëm. Nga ana tjetër, ata shohin liderë si Viktor Orban, që mund të bllokojnë çdo gjë që ne duhet të vendosim me unanimitet. Ne duam të sigurojmë që nëse një vend bëhet anëtar, ne të kemi mekanizmat e duhura, që nëse situata përkeqësohet, ne mund t’i përgjigjemi kësaj”.

 

Komisioneri u shpreh qartë që mund të përdoren instrumente penalizues në rast të shkeljes së të drejtave themelore dhe cenimit te shtetit ligjor. A mbështet kjo nga Parlamenti Evropian ?

Kati Piri: Nëse ne shohim që ka një dinamizëm për reforma, një politikë gjithëpërfshirëse midis qeverisë, opozitës, shoqërisë civile, ne duhet të përdorim instrumente nxitës. Për Turqinë, për të cilën jam raportuese prej 5 vjetësh, nëse do të vendosnim tani, ne nuk do t’i kishim dhënë as statusin  e kandidatit për shkak të përkeqësimit të lirive themelore, si të drejtat e njeriut, lirisë së shtypit, apo shkeljet e shtetit ligjor. Pra, na duhet një mekanizëm, që kur ka shkelje apo cenime, të mund të bëjmë një kthim mbrapa, duke ndërprerë fondet. Këto janë shqetësime të shumë qytetarëve evropiane dhe ne duhet t’ju përgjigjemi atyre. Dhe nuk është në interesin e asnjë qytetari në Ballkanin Perëndimor të shohë që situata e lirisë së shtypit po përkeqësohet shumë dhe Bashkimi Evropian sheh gjetkë nuk reagon ndaj kësaj. Pra, shpresoj që procesi i zgjerimit të behet për qytetarët dhe jo për qeveritë.

 

Autorja është korrespondente e TV KLAN Maqedonia nga Brukseli

 

 

 

Të fundit