E mërkurë, 4 Dhjetor, 2024

Dokumenti i ri i BE për zgjerimin: Pezullim negociatash nëse ka regres

Metodologjia e re e zgjerimit të Bashkimit Evropian parashikon pezullimin e negociatave në rast se konstatohen regres për vendet që aspirojnë anëtarësimin në union.

Gazetari i Euronews Albania, Ernest Bunguri nga Brukseli, shpjegon se dokumenti parashikon më shumë fonde dhe investime për zhvillimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ashtu siç nga ana tjetër parashikohen dhe ndëshkime.

Sa i takon negociatave, pas vendimit për çeljen e tyre, BE mund të vendosë për pezullimin e pjesshëm ose të plotë në rast se konstaton se një vend ka bërë hapa pas.

Gjithashtu edhe nëse një kapitull për anëtarësimin në BE është mbyllur, vendet anëtare mund të kërkojnë rihapjen e tyre.

Duket se ky ndryshim është bërë për të kënaqur skepticizmin e Francës sa i takon procesit të zgjerimit të unionit dhe konkretisht hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Ka diçka pak shqetësuese; duket sikur ky propozim i ri i komisionit është bërë për të kënaqur Francën.

Të gjithë kapitujt në metodologjinë e rishikuar tani ndahen në 6 grupe dhe do ta sqarojmë nesër duke e pyetur komisionerin se a janë këto grupe bllokuese, pasi ndoshta për të hapur një grup të tërë me disa kapituj brenda do të duhet të pritet që të plotësohen kushtet për të gjithë apo do të hapen negociata si deri më tani një e nga një.

Metodologjia ndahet në 6 grupe, dhe nuk dihet nëse këto do të jenë bllokuese, çka e vështirëson më shumë procesin. E reja është pezullimi i negociatave dhe grupet”, – tha korrespondenti i Euronews Albania në Bruksel.

Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut iu refuzua hapja e negociatave pavarësisht se Komisioni Evropian rekomandoi një gjë të tillë. Ishte pikërisht, Franca e cila vendosi veton në mbledhjen e Këshillit Evropian.

Të dy vendet shpresojnë që të marrin një votim unanim të 27 vendeve anëtare në favor të çeljes së negociatave për anëtarësim në Samitin e Zagrebit, që do të mbahet gjatë muajit maj të këtij viti. Euronews Albania

Të fundit