E enjte, 12 Dhjetor, 2024

Kurti prezanton emrat e ministrave, pret votimin në kuvend

Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën plenare në të cilën pritet të votohet për formimin e Qeverisë së re të Kosovës me Albin Kurtin, kryeministër. Qeveria e re që pret miratimin nga kuvendi, është rezultat i marrëveshjes së arritur ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca i dha fjalën mandatarit për kryeministër, Albin Kurti, i cili në elaborimin e programit qeverisës, Kurti tha se qeveria e tij do të jetë një “qeveri e kursimit të parasë publike”. Kursimet tha ai, kanë nisur me reduktimin e ministrive nga 21 sa ishin në qeverinë paraprake në 15. Kurse nga 80 poste të zëvendësministrave, ai tha se qeveria e tij do të ketë rreth 33 sosh.

Po ashtu, theksoi Kurti, kursimet do të përfshijnë të gjitha fushat, duke nxitur zhvillimin ekonomik, shtimin e vendeve të reja të punës dhe ndaljen e emigrimit të qytetarëve të Kosovës për në vendet tjera evropiane.

“Në Kosovë sot ka më shumë treg të zi e të hirtë sesa treg të lirë. Ne këtë do ta ndryshojmë”, theksoi Kurti.

Ai tha se Administrata Tatimore dhe Dogana do të bashkohen për të lehtësuar mbledhjen e tatimeve.

Kurti premtoi se buxheti do të arrijë në 3 miliardë euro. Kurse sa i përket tregut të punës, premtoi mbrojtje të punëtorëve, duke synuar që punonjësit të punojnë nga 8 orë në ditë apo 40 orë në javë. Për të respektuar këto kritere, Kurti tha se do të rrisë numrin e inspektorëve të punës që do të garantojnë zbatimin e ligjit.

Kurti tha se do të angazhohet që qeveria nën drejtimin e tij të luftojë korrupsionin, të nisë procesin e vetting-ut të përgjithshëm si dhe u zotua që shërbimi ushtarak në Kosovë të jetë i detyrueshëm, për një kohëzgjatje prej 3 muajve.

Nga aspekti politik, Kurti tha se është i gatshëm të udhëheqë bisedimet me Serbinë, duke krijuar një ekip gjithëpërfshirës.

Kurti prezanton kabinetin qeveritar

Qeveria e re e Kosovës është propozuar që të ketë 15 ministri. Kryeministri, pritet t’i ketë edhe dy zëvendëskryeministra, kurse në përbërjen e saj, qeveria pritet të ketë edhe 33 zëvendësministra.

  • Kryeministër i Kosovës – Albin Kurti (LVV)
  • Zëvendëskryeministër i parë – Avdullah Hoti (LDK)
  • Zëvendëskryeministër i dytë – Haki Abazi (LVV)
  • Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporë – Glauk Konjufca (LVV)
  • Ministër i Integrimit Evropian -Blerim Reka (LVV)
  • Ministre e Drejtësisë – Albulena Haxhiu (LVV)
  • Ministre e Arsimit Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit -Hykmete Bajrami (LDK)
  • Ministër i Financave dhe Transfereve – Besnik Bislimi (LVV)
  • Ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike – Agim Veliu (LDK)
  • Ministër i Ekonomisë, Punësimit Tregtisë, Industrisë, Ndërrmarrësisë dhe Investimeve Strategjike – Rozeta Hajdari (LVV)
  • Ministër i Mbrojtjes – Anton Çuni (LDK)
  • Ministër i Infrastrukturës dhe Ambientit- Lumir Abdixhiku (LDK)
  • Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural – Besian Mustafa (LDK)
  • Ministër i Shëndetësisë – Arben Vitia (LVV)
  • Ministre e Kulturës Rinisë dhe Sportit – Vlora Dumoshi (LDK)
  • Ministre e Administrimit të Pushteti Lokal – Emilia Rexhepi (Grupi 6+)
  • Ministër për Komunitet dhe Kthim – Dalibor Jevtiq (Lista Serbe)
  • Ministër për Zhvillim Rajonal – Ivan Millojeviq (Lista Serbe)

Deputetët diskutojnë për programin qeverisës

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mullahaxha-Kollçaku ftoi deputetët e Kuvendit të Kosovës të votojnë për qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti.

“Kjo seancë është ngjarje historike, në Kosovën e pas pavarësisë, sepse për herë të parë opozita ka fituar. Sot kemi për të votuar Qeverinë Kurti dhe koalicionin që aq shumë e pritën qytetarët tanë. Porosia (v.j e qytetarëve) sot do të vihet në vend”, tha ajo.

Ndërkaq, Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se programi qeverisës i hartuar nga LVV dhe LDK është i koordinuar nga dy partitë, që sipas tij, prek të gjitha fushat.

“Sot kemi një program qeveritar të koordinuar i cili i ka të gjitha fushat e mbuluara. Ky program, i hartuar nga LVV dhe LDK është një program plotësisht i dakorduar. Por sot, jemi para jush me një program të koordinuar dhe me një listë për ministra shumë të mirë dhe jemi para jush të kërkojmë besimin tuaj për qeverinë e re”, tha Gashi.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, tha se partia e tij nuk do të hesht më për akuzat që i janë bërë si dhe ka akuzuar mandatarin për kryeministër për mosnjohje të shtetit të Kosovës dhe lojëra për interesa personale.

“Si po ja lëjmë Kosovën një njeriu i cili nuk njeh shtetin e Kosovës dhe as nuk mendon të jetojë në të, Sot ti ke pranuar gjithçka dhe po i harron të gjitha vetëm për interesat tua. Nga sot, Albin dhe të gjithë ju, ne nuk do të heshtim, prej sot e tutje si do të silleni, por edhe për akuzat tuaja të deritashme nuk do të heshtet më”.

“Duhet të tregosh edhe për përbërjen e qeverisë që e ke, a do ta luftosh Serbinë, apo neve me anë të Gjykatës Speciale”, tha Veseli mes tjerash në fjalimin e tij.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu u shpreh kritike ndaj Albin Kurtit, i cili, sipas saj “duke gëlltitur fjalët dhe premtimet tashmë synon kreun e ekzekutivin”.

“Ne e dimë që jeni mashtrues, por çdo ditë do ta kuptojnë edhe qytetarët”, tha Haxhiu.

Haxhiu tha se qeveria e udhëhequr nga Kurti “do ta ketë jetën e shkurtër”, duke shtuar se “urojmë që vendimi i qeverisë (v.j. së udhëhequr nga Ramush) Haradinaj për taksën 100 për qind për produktet serbe nuk do të preket”.

Lideri i Nismës Socialdemokrate, Famir Limaj tha se puna e LVV-së sa ishte në opozitë nuk ishte për lavdatë.

Ai e porositi partnerin e koalicionit qeverisës, LDK-në, që “t’ia mësojë” Kurtit sesi funksionon shteti.

“Kosova ka kulturë demokratike. Për 20 vjet një njeriu që nuk e ka njohur Kosovën (v.j referencë për Albin Kurtin), për shumë kohë nuk e ka njohur flamurin e Kosovës, e nuk i është ngritur në këmbë himnit te Kosovës, sot Kosova i jep mundësin e zgjedhjes për kryeministër”, tha Limaj, duke e porositur Kurtin se në bisedimet me Serbinë, asnjëherë nuk do të arrijë marrëveshje, e cila do të jetë e dëmshme për Kosovën.

Për formimin e qeverisë, janë të nevojshme të paktën 61 vota për, nga 120 deputetë sa ka kuvendi. Duke mos llogaritur komunitetet pakicë, LVV dhe LDK kanë së bashku 57 vota në kuvend.

Përderisa Lista Serbe, e cila në Kuvend ka grupin parlamentar prej 11 deputetëve është deklaruar se nuk do të votojë për qeverinë e re, shpresat e Kurtit mbështeten te votat e komuniteteve joserbe, përkatësisht komuniteti turk, boshnjak, rom, egjiptian e ashkali, që së bashku kanë 9 ulëse në kuvend.

Sipas një skenari që është paralajmëruar, seanca fillon me propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetarin e kuvendit. Në këtë post, pritet të vi deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani. Kurse kryetari aktual i kuvendit, i zgjedhur në seancën konstituive më 26 dhjetor, Glauk Konjufca, kalon në një pozitë qeveritare.

Bazuar në marrëveshjen LVV–LDK, qeveria e re do të ketë 15 ministri. Prej tyre, nga 6 ministri do t’i kenë LVV dhe LDK, kurse 3 ministri u takojnë komuniteteve pakicë. Po ashtu, qeveria do të ketë edhe 2 zëvendëskryeministra dhe 33 zëvendësministra.

Në rast se përbërja e propozuar e qeverisë nga Albin Kurti nuk merr shumicën e votave të nevojshme, presidenti i Republikës së Kosovës, brenda 10 ditësh emëron kandidatin e ri për kryeministër.

Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet qeveria, atëherë presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor, 2019. Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më së shumti vota, e përcjellë nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Këto zgjedhje pasuan dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës, pasi që ai kishte marrë ftesë për intervistë në cilësinë e të dyshuarit nga Gjykata Speciale me seli në Hagë.

Të fundit