I pari i BDI-së, ALi Ahmeti, ka thënë të hënën mbrëma në emisionin “Klan Debat” se partia që drejton ai është një forcë më e organizuar në vend dhe rajon.
“BDI është forca më e organizuar që është dëshmuar se din të udhëheqë procese të rënda. Maqedonia e Veriut ka nevojë për BDI-në, e jo e kundërta. Kjo është pasuri kombëtare e shqiptarëve të Maqedonisë, veçanërisht për historinë e saj. Oponentët tanë mos merren me shpifje por ta dinë se BDI ka ndryshuar historinë e vendit. Kush e solli gjuhën, barazinë, universitetin, dinjitetin? BDI dhe UÇK. Mos merren me shpifje. Gjithë ditën e lume me shpifje, shpifje, shpifje, urrejtje, urrejtje, urrejtje. Krahasoni të djeshmen me të sotmen – një polic ka shpërndarë një pazar.”
Ahmeti, siç njofton KDP, ka thënë se oponentët e tij shpifin edhe kur e kritikojnë BDI-në si fajtore për ikjen e të rinjve.
“Dëgjoj se BDI qenka fajtore për ikjen e të rinjve. Nuk duhet të manipulohen qytetarët sepse problemi është te pagat dhe standardet. Në Kërçovë e kanë lënë punën 40 policë e kanë shkuar në mërgim. Formula është te integrimi në BE – t’i çelim negociatat dhe ta përshpejtojmë anëtarësimin e plotë. Me anëtarësimin e plotë BE do të përafrohen standardet. Ndryshe nuk ndalen të rinjtë të shkojnë jashtë sepse njerëzit krahasohen me ato që jetojnë jashtë dhe kërkojnë standard më të mirë. Tash për tash nuk mund t’ia bëjmë rrogën 2 mijë euro. Kjo temë është aktuale në të gjitha vendet e rajonit. Deri në anëtarësimin e Spanjës dhe Portugalisë në BE shtetasit e këtyre vendeve ishin emigrantët më me në numër në Zvicër, apo grekët në Gjermani. Vetëm integrimi në BE ndal ikjen e të rinjve.”
Ai ka shpalosur edhe bisedat me kryeministrin Zoran Zaev pas dështimit të vendi të marrë datën e negociatave në tetor të vitit të kaluar, kur Franca bllokoi vendimin pozitiv të Këshillit Evropian.
“Zoran Zaevi gaboi kur ofroi dorëheqje pasi nuk mori date për fillimin e negociatave në tetor të vitit të kaluar. Ai ishte në gjendje të rëndë shpirtërore sepse nuk kishte marrë atë që i ishte premtuar nga Brukseli. Pas arritjes në Shkup unë e takova atë e i thashë se është gabim të dorëhiqet se nuk ka asnjë faj, nuk ka asnjë faj as Bujar Osmani. BE-ja kërkoi detyra konkrete nga vendi, e ne i plotësuam. I thashë se nëse dorëhiqet atëherë edhe BDI do ta rishqyrtojë pjesëmarrjen në këtë qeveri pasi marrëveshjet I kishim bërë me atë, e jo me tjerë. E pata një diskutim lidhur me këtë edhe në LSDM, ku kishte një atmosferë të rëndë pas vetos në Bruksel.”
Sipas tij, rasti “Zhvatja” është një turp për drejtësinë në vend dhe një mësim se si duhet të zgjidhen në të ardhmen kuadrot në gjyqësor. “Shumë raste që i kishte PSP tashmë janë në Prokurorinë Themelore. Ligji për prokurorinë, edhe nëse nuk sillet, nuk do të ketë ndikim në vendimin e BE-së që të hapen negociatat e anëtarësimit deri në maj të këtij viti. Ne gjithmonë kemi përkrahur PSP-në, por dallimet janë midis VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së. Ashtu siç e kemi mbështetur PSP, ne tash e mbështesim sjelljen e ligjit.”
“Për të qenë transparent, ne vazhdimisht insistojmë për një veting jo vetëm në drejtësi, por edhe në sferat tjera si politikë, arsim, komuna, institucione…Ballafaqohemi me shumë shpifje andaj me forcë kërkojmë veting dhe sundim të ligjit, pasi në këtë formë nuk do të ketë kriminalitet, korrupsion por përgjegjësi e efikasitet të institucioneve. Nuk është e vërtetë se procesi i vetingut në Shqipëri është partizuar pasi zbatohet edhe nga faktori ndërkombëtar. Këtyre ditëve në vend ka ardhur një prokuror i cili tregon se çfarë kushtesh duhet të plotësojë një prokuror apo gjykatës, të cilët çdo 5 vite i nënshtrohen këtij procesi.”
Ahmeti është shprehur i rezervuar me zgjidhen që para çdo palë zgjedhjesh parlamentare të formohet qeveri teknike. “Kjo lloj qeverie është një qeveri e halleve të mëdha. Sa do të jetë e qëndrueshme, do të shohim. Nëse ka vullnet, mund të arrihet një qeveri teknike e një formati tjetër, më efikase, apo të kthehemi në formën e vjetër.”
Ai ka thënë se kanë probleme në qeverisjen me LSDM-në, por se kanë arritur t’i menaxhojnë.
“Ne jemi parti të ndryshme. Secila ka programe të saja e që janë harmonizuar në programin qeveritar. Dallime ka pasur dhe do të ketë. Por, mendoj se midis partnerëve qeveritarë nuk duhet të ketë rezerva por besim të ndërsjellë. Komunikimi me Zaevin ka qenë i mirë, por nuk ka qeverisje ideale, të përkryer. Kemi pasur përplasje, por nuk i kemi nxjerrë në opinion. Kjo ka qenë edhe në të kaluarën, por këto janë situata normale që ndodhin në çdo koalicion qeverisës.”
Ahmeti ka thënë se BDI do të dalë fituese e zgjedhjeve te shqiptarët. “Të gjitha anketat, por edhe takimet që i kam bërë, flasin për një BDI fitimtare. Kjo do të shihet më 12 prill.”
Duke folur për ofertën e BDI-së, ai ka theksuar se “është koha të luftojmë drejtësinë selektive, por edhe buxhetin selektiv. Me hapjen e negociatave do të realizohen edhe këto procese.” /KDP