E premte, 13 Dhjetor, 2024

KOBI I FRYMËZIMEVE TË ËNDËRRTA

Shoqëritë kanë nevojë për modele. Njerëzit kanë nevojë për frymëzim në ëndrrën e tyre jetësore. Kobi Brajant ishte njëri nga ato modele frymëzimi që nuk të lënë indiferent. Jo vetëm me lojën e tij, por edhe me mesazhet që ka shpërndarë në funksion pikërisht të kësaj ëndrre. Një model global i përmasës sportive dhe njerëzore.

Autor: Bardhyl Zaimi

Kobi Brajant ka humbur jetën në një aksident, ndërkohë që bota ka mbetur e trishtuar. Janë miliona njerëz anembanë botës që kanë shfaqur pikëllimin e tyre për shuarjen e yllit të NBA-së. Mediat botërore kanë raportuar se brenda helikopterit të rrëzuar ka qenë edhe vajza e tij 13 vjeçare,Xhiana. Ky lajm akoma më tepër ka shtuar trishtimin, ndërkohë që Kobi, gjatë tërë kohës kishte paralamëruar se ajo ishte e lidhur shumë dhe e dashuronte basktebollin. Një shkrim plot dashuri për basketbollin si qenësi e tij edhe vetë e kishte bërë.

Shuarja e Kobit, brenda pak minutash është bërë lajm botëror. Të gjitha mediat kanë raportuar vdekjen e tij, ndërkohë që emra të njohur të sportit dhe botës së kulturës kanë shfaqur pikëllimin e tyre. ““Nuk kam fjalë… me mendje jam me familjen dhe miqtë e Kobe-t. Ka qenë kënaqësi ta takoja atë dhe të kalonim kohë të këndshme së bashku. Një gjeni i vërtetë na braktisi”, ka shkruar Messi në rrjetet sociale. Një ndenjë trishtimi kudo në rrjetet sociale. 

Edhe ylli tjetër i NBA-së, Majkëll Xhordan, ka shfaqur pikëllimin e tij pas vdekjes së Kobe Bryant-it. Ai është shprehur shumë i prekur dhe emocionuar pas vdekjes së Bryant dhe vajzës së tij, Gianna.

“Jam në gjendje shoku pas lajmit tragjik për vdekjen e Kobit dhe Xhiana”, ka thënë Jordan në një komunikatë zyrtare. “Nuk ekzistojnë fjalë për ta përshkruar dhimbjen që ndjej në këto komente. E kam dashur Kobe-n, për mua ishte si një vëlla i vogël. Kemi biseduar shpesh, do të më mungojnë ato biseda me të. E dashuronte shumë garimin, një prej më të mëdhenjve që ka luajtur basketboll dhe një fuqi kreative në fushë”, ka theksuar Xhordan.

Ai ka shkruar gjithashtu se Kobi ishte edhe baba i mrekullueshëm që e dashuronte pa fund familjen e tij, krenar edhe me vajzën e tij që ishte e dashuruar në basketbollin.

Edhe në ambientin tonë, njerëzit kanë shfaqur trishtimin e tyre për vdekjen e Kobit. Nuk kanë munguar përshkrimet e atyre që me orë të tëra kanë pritur lojën e tij me Lakers-at. Kobi ka qenë një basketbollist i shkëlqyer dhe një njeri i jashtëzakonshëm. Sportisti dhe njeriu tek ai kanë krijuar shëmbëlltyrën e identifikimit anembanë globit. Një ikonë e basketbollit që me përmasën e tij si profesionist dhe si njeri ka reflektuar në ëndrrën e shumë të rinjve. Një frymëzim përkushtimi dhe suksesi që nga lartësirat e përkryerjes profesionale dhe njerëzore iu ka dhënë njerëzve shtysën për të ëndërruar.

Shoqëritë kanë nevojë për modele. Njerëzit kanë nevojë për frymëzim në ëndrrën e tyre jetësore. Kobi ishte njëri nga ato modele frymëzimi që nuk të lënë indiferent. Jo vetëm me lojën e tij, por edhe me mesazhet që ka shpërndarë në funksion pikërisht të kësaj ëndrre. Në qindra foto të postuara në rrjetet sociale të Kobit, një mesazh sikur e shpërfaq gjithë esencën e shpirtit të tij prej sportisti dhe njeriu. “Gjëja më me rëndësi është të përpiqesh të frymëzosh njerëz, që ata mund të jenë të mëdhenj në krejt çka bëjnë”, mbetet një ndër meazhet që tashmë ka reflektuar në zemrat dhe ëndrrat e miliona njerëzve në botë.

Kobi mbetet model frymëzimi, një sportist dhe një njeri i madh. Ai këtë e ka dëshmuar me lojën e tij dhe me shembullin njerëzor të jetës së tij. Sa herë kemi qëndruar pa gjumë për të parë lojën e tij me Lakers-at. Këto orë pritjeje mbeten orët e ëndrrës. Orët e Kobit nuk sosen asnjëherë, sepse janë orë frymëzimi, orë modeli shoqëror, orë të asaj që pretendojmë të jemi si qenie njerëzore në jetën tonë. Kobi është modeli që trazon ëndrra suksesi, që reflekton pambarimisht përmasë profesionale dhe njerëzore.

Të fundit