Një status në rrjetet sociale, në Serbi, ka bërë që autorja e tij Vesna Peshiq të ftohet në polici si një ekstremiste që rrezikon presidentin e shtetit. Peshiq ka folur për televizionin e pavarur N1 duke krahasuar realitetin aktual në Serbi me atë të kohës së Enver Hoxhës në Shqipëri.
Ka mjaftuar një status në twitter që profesoresha dhe politikania e njohur serbe, Vesna Peshiq, të përfundojë në polici. Si veprimtare politike ajo kështu i kishte komentuar përplasjet mes regjimit të presidentit Aleksandar Vuçiq dhe opozitës së përçarë serbe përballë dilemës të dilet apo jo në zgjedhjet e pranverës: ‘Hajdeni, bre t’ju shoh çfarë do të bëni kur të shpallet president i përjetshëm. Kur twiteristët pa gajle twiterojnë. Nuk mendoni për këtë. Ja, Putini bash këtë po e bën. Nëse Bërnabiqja jep dorëheqje, ta dini – përgatitet Vuçiqi i përjetshëm, ndaj këtu nuk ka bojkot, vetëm tytë në kokë!’- kishte shkruar Peshiq.
Peshiq i tha televizionit të pavarur N1 se ishte habitur me reagimin e shpejt të policisë, pasi me sygjerimin e një të njohure, statusin e kishte fshirë, por kjo nuk mjaftoi që të premten, ministri i Brendshëm Nebojsha Stefanoviq, ta cilësojë atë si kërcënim klasik duke arsyetuar kështu marrjen e saj në polici. Peshiq, ndërkaq është e bindur se aktualisht serbët ‘jetojnë në një sistem të monopolitit absolut politik, të monopolit policor institucional’, thotë sociologia e njohur serbe duke e krahasuar vendin e saj me Shqipërinë e kohës së monizmit: ‘Unë tani disi mendoj se mund të shikohet se si ka qenë në kohën e Enver Hoxhës. Për shkak se ne patëm jetuar në një socializëm liberal, kemi poseduar pasaporta dhe kemi mundur të flasim ç’të duam, ndoshta nuk ke mundur të përmendësh vetëm një fjalë ose kështu disi, kurse gjithçka tjetër ishte e lirë. Atëbotë, ne mendonim se si jetohet në atë Shqipëri nën Enver Hoxhën? Ja, sot ne kemi rastin të shikojmë se si duken ato sistemet staliniste kur vendoset monopoli absolut politik, sikurse këtu. Ku keni parë kaq monopol aq sa dikush të marrë e të formojë madje edhe opozitën e vet?’- transmeton KDP deklaratën e V. Peshiqit për tv N1.
Sociologia Vesna Peshiq thotë se Serbia është kthyer shumë prapa në një sistem që ka suprimuar jo vetëm institucionet, por edhe disa zgjedhje relativisht të ndershme.