Studiuesin dhe shkrimtarin Nasho Jorgaqi e lidhin disa momente të rëndësishme me emrin e shkrimtarit Mitrush Kuteli, që lidhen me formimin dhe dashurinë e tij për letërsinë dhe më pas me “rehabilitimin” e figurës së një prej emrave më në zë të letrave shqipe. Studiuesi ka rrëfyer për televizionin “News24” njohjen me Kutelin, përcjell gazeta Panorama.
“Njohja e distancuar me Mitrush Kutelin është shumë e hershme. Isha adoleshent kur në vitet e pushtimit, në vitet ‘43-‘44, ai ishte kthyer nga Rumania dhe botoi brenda një periudhe të shkurtër, prej gati një vit e gjysmë, dhjetë libra në poezi, prozë, përkthime etj. Brezit tonë na ra në sy ky shpërthim botimesh, që nuk kishte ndodhur deri më atëherë. Ai kishte mbaruar studimet për ekonomi, madje kishte marrë edhe gradën doktor i shkencave ekonomike. Ka punuar edhe disa vjet në bankë, në qytete kryesore të Rumanisë. Kur filloi lufta, Rumania u rendit me forcat nazifashiste, duke mobilizuar intelektualët. Ata që kishin mbaruar shkollën, ishin edhe oficerë. Atë e çuan në frontin rus dhe kjo do t’i kushtonte më vonë, kur do të kthehej në Shqipëri.
Reparti i tij qe në Ukrainë. U ndje shumë keq, sepse lufta ishte tepër e ashpër dhe për t’u larguar sajoi një arsye. I çuan një telegram sikur nëna e tij kishte vdekur e duhej të kthehej. E lejuan të kthehej në Shqipëri dhe kur vjen sheh se italianët i kishin vrarë dhe babanë, i kishin djegur shtëpinë. Ndaj, jo vetëm që nuk u kthye më pas, por u bë një nga intelektualët më të suksesshëm dhe më në zë të kohës.
Sapo u kthye, mblodhi 800 përralla dhe botoi librin ‘Këngë dhe britma nga qyteti im i djegur’, një vepër me vlerë, që nuk ishte botuar më parë”, tregon Nasho Jorgaqi. Sipas tij, krijimtaria e Kutelit dallonte nga shkrimtarët e tjerë. “Ishte individualitet artistik krejt i veçantë. Gjuha e tij ishte një kontribut i jashtëzakonshëm, që ai sillte përmes fjalorit, stilit, frymës popullore dhe realizimit”.
NGA BANKA NË MAL
Mitrush Kuteli do të linte vulën e tij edhe në Bankën e Shqipërisë, por fati i keq e deshi që ai të drejtonte këtë institucion të rëndësishëm në vitet e pushtimit. “Kuteli punoi në Bankën Kombëtare në një periudhë të vështirë, ku edhe u përball me një problem të madh: gjermanët i morën të gjithë fondin, e zbrazën. Ai rezistoi, për këtë arsye përgatitën edhe urdhërarrestin e tij. Në prag të çlirimit, partia komuniste u bëri thirrje të gjithë intelektualëve të dilnin në mal dhe të kontribuonin në çlirimin e vendit. Disa prej tyre dolën. Mes tyre ishte edhe Mitrushi, madje me feste me yll, me të cilën ka dalë edhe fotografi. Kur e botova këtë fotografi, e bija më tha që babai nuk ishte komunist. Por dalja e tij në mal ishte fakt. Kishte dalë në Dajt. Por që të luftoje për çlirimin e vendit nuk do të thoshte të ishe komunist, por patriot”, tregon Jorgaqi.
REHABILITIMI
Vendosja e regjimit komunist do të sillte jo pak probleme për Mitrush Kutelin. Intelektuali, shkrimtari, përkthyesi, mbledhësi i fjalorit, do të lihej në hije; nuk do të kishte leje botimi, nuk do të ishte anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Si redaktor në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” dhe më pas shef redaksie i letërsisë shqipe, Jorgaqi e ndjeu si detyrë t’i kthente “borxhin” Kutelit, atë kënaqësi që dikur ia kishte dhënë vepra e tij.
“Me një lloj kurajoje, që më vinte edhe nga mosha e re, u nisa për në Komitetin Qendror dhe takoj Piro Kondin, që ishte përgjegjës për kulturën. Ia parashtroj problemin, duke i thënë se kemi një autor shumë të mirë. ‘Ç’është ky autor me emrin Mitrush’, më tha. Ky është pseudonim, i thashë, sepse emri i tij është Dhimitër Pasko. Është një nga shkrimtarët më klasikë që ne kemi, mjeshtër i gjuhës shqipe. Ky shkrimtar i madh nuk është as anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve, edhe pse është një prej themeluesve të saj në vitin 1945, që ka libra të botuar më shumë se askush tjetër. ‘Po më trondit,-tha,-a janë të vërteta këto që thua’? Po të mos ishin të vërteta, nuk do të vija, aq më tepër te ju,- i thashë. ‘Do ta shoh, do pyes, pasi këto punë nuk bëhen individualisht, vetëm. Hajde pas një jave’. Kur shkova pas një jave, më thotë: ‘Punë e ngatërruar. Ai ka qenë në luftë kundër Bashkimit Sovjetik dhe është emër i vdekur për kulturën me këtë gjest që ka bërë, madje ka pasur edhe komunistë, të cilët kanë qenë në front dhe janë përjashtuar nga partia’. M’u desh t’i shpjegoja se ata nuk kishin shkuar me dëshirë, por me detyrim dhe kjo nuk kishte ndodhur vetëm në Rumani, por edhe në vende të tjera, që ishin të krahut profashist. ‘Këto janë rrethana lehtësuese për ta. Partia duhet sqaruar’, tha ai.
Në këtë moment hyn në zyrë Sofo Lazri, që ishte këshilltar i Enverit dhe udhëheqjes për politikën e jashtme. Një njeri shumë i përgatitur, me të cilin kisha njohje. Pasi më pyeti se përse kisha ardhur, ndërhyn Piro dhe i thotë: ‘Ka ardhur për një Mitrush Kuteli, po mua nuk më thotë gjë ky emër. Madje, pyeta dhe më rezultoi se kishte luftuar kundër Bashkimit Sovjetik’. Sofo që ishte njeri shumë i kulturuar, i thotë: ‘Ai është një nga shkrimtarët më të shquar të letërsisë shqipe. Ne bëjmë ca marrëzira dhe bëjmë gjoja si njerëz të kulturës. Mitrush Kuteli rri jashtë Lidhjes, nuk e lënë të botojë… Po ajo gjuha e tij këndon, mor këndon. Nashoja ka shumë të drejtë dhe do ta bisedoj me Ramizin, që ta ndreqim këtë padrejtësi’. Pas një muaji më thirrën dhe më thanë që miratohej kërkesa ime për futjen në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe dhënia e lejes së botimit. Ka qenë në fillim të viteve ’60. Në këtë kohë unë isha edhe pedagog i jashtëm dhe kërkova edhe përfshirjen e tij në tekstet mësimore”.
NË ROMANIN E KADARESË
Ndoshta pak janë ata që e dinë, që Mitrush Kuteli është personazh në një nga romanet e Ismail Kadaresë, që u bë edhe film, nën titullin “Radiostacioni”. Ai është përfaqësues i shtresave të “përmbysura” në film.
“Tirana ishte e ndarë në pjesë të pushtuara e të çliruara. Mitrush Kuteli u hodh në atë të çliruarën. E çojnë në Priskë. Shtabin e luftës së Tiranës e drejtonte Mehmet Shehu.
Kur i thanë që ka ardhur Mitrush Kuteli, ai, siç ishte i përkulur mbi ca harta, i thotë: ‘Vonë ke ardhur, shumë vonë’. ‘Unë, shoku gjeneral, kam dashur shumë, kam urryer, kam bërë edhe gabime. Kështu jam unë. Po shyqyr që erdhët ju që po e çlironi këtë vend, jo pa sakrifica. Unë nuk kisha arsye për të qenë indiferent, pasi vij nga një familje patriotike’, i tha Kuteli.
Këtë bisedë ia tregoj Ismail Kadaresë, që e fut në një prej romaneve të tij: ‘Nëntori i një kryeqyteti’. Ismaili kishte shumë respekt për Kutelin dhe nuk e kam dëgjuar kurrë të flasë keq për të”, tregon Nasho Jorgaqi, që njohjen me Kutelin e ka përfshirë edhe në librin e tij “Koha e kujtimeve”.