Në Banja Llukë të Bosnjë e Hercegovinës që është kryeqytet i Republikës Serbe, ministri i Brendshëm ka goditur deputetin e një partie opozitare. Gjithë kjo ka ndodhur gjatë një seance të parlamentit në të cilën është diskutuar një program i reformave me theks të veçantë mbi mundësinë e aderimit në aleancën e NATO-s që kundërshtohet nga nacionalistët serbë, njofton KDP.
Ministri i Brendshëm i Republika Serpskës, Dragan Lukaç,ka goditur me grushta, nga foltorja e parlamentit, një deputet opozitar serb, Dragan Stanivukoviq, për shkak se ky i fundit kishte sjellur një famur të NATO-s në shenjë proteste pasi lideri i serbëve Milorad Dodik, më herët kishte firmosur një program të reformave të dërguar në selinë e NATO-s në Bruksel. Nacionalistët serbë kanë kundërshtuar fuqimisht mundësinë e përfshirjes së Bosnjë e Hercegovinës në Aleancë duke u angazhuar që vendi të jetë neutral në aspektin ushtarak, një politikë kjo identike me atë të Beogradit zyrtar. Kryepolici por edhe Milorad Dodik me këtë rast nuk kanë kursyer edhe etiketimin e deputetit Stanivukoviq si majmun e i paedukatë:
Fundjavën e kaluar Presidenca e Bosnjë e Hercegovinës, anëtar i së cilës është edhe Dodik, miratoi Programin e shumëdebatueshëm të Reformave të cilin opozita në Republikën Serbe e cilëson si hap drejt aderimit në NATO, ndërkohë që partia e zotit Dodik pohon se kjo nuk paragjykon anëtarësimin në Aleancë.
Megjithëse dokumenti mori dritën jeshile të deputetëve të mazhorancës me konstatimin se për anëtarësimin eventual të Bosnjë e Hercegovinës në aleanca ushtarke, qytetarët e Republikës Serbe do të deklarohen me referendum, prapëseprapë Programi i Reformave i dërguar në Bruksel konsiston në përgatitjen e shtetit për t’u bërë pjesë e Aleancës dhe ngërthen planin e arritjeve e të synimeve në fushën e politikës, sigurisë, drejtësisë e të mbrojtjes.