Nisma e “Mini-Shengenit” ballkanik sërish ka nxjerrë në sipërfaqe dallimet mes kryeministrit Zoran Zaev dhe partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, të cilat mbështetin nismat rajonale, por jo pa pjesëmarrjen në këtë nismë të të gjitha shteteve të rajonit.
Kryeministri Zoran Zaev, të martën i ka bërë thirrje partive politike shqiptare që publikisht të tregojnë se çfarë u pengon nga nisma për “Mini Shengenin” ballkanik, që të mund të japë vlerësimin e tij për këtë nismë, të cilën e vlerëson në funksion të qytetarëve të shteteve të rajonit.
“Aleanca për Shqiptarët, Lëvizja Besa dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, të tregojnë se çfarë i shqetëson lidhur me marrëveshjet e ‘Mini-Shengenit’ dhe unë jam gati të them se pse ato janë nënshkruar. Ato duhet të thonë se pse janë kundër, çfarë u pengon? Të tregojnë se a janë ata kundër uljes së taksave, a kundër kolonave të gjata në vendkalimet doganore … A janë ata kundër heqjes së vizave në tregun e punës në rastet kur një turist ka hyrë tashmë në një prej shteteve anëtare të nismës së ‘Mini-Shengenit’?”, u shpreh kryeministri maqedonas, Zoran Zaev.
Ai tha se i gjithë rajoni është i interesuar për iniciativën dhe se kjo sipas tij u dëshmua edhe me pjesëmarrjen e presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq. Zaev tha se Kosova gjithashtu mund t’i bashkohet iniciativës, por Kosova dëshiron të ftohet si një shtet më vete, e cila nga ana tjetër është pjesë e një problemi të pazgjidhur me Serbisë, ku vendet e tjera nuk mund të ndërhyjnë.
Partitë shqiptare pa përjashtim kanë dalë kundër kësaj nisme pikërisht për shkak të mos pjesëmarrjes së Kosovës në këtë nismë, pa u njohur pavarësia e saj nga Serbia.
Nga Bashkimi Demokratik për Integrim, përmes një komunikatë kanë thënë se “nisma nuk do të jetë e suksesshme pa përfshirjen e të gjitha gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, nisma të përfshihet në kornizat e iniciativave evropiane rajonale si dhe në këto takime të ketë prani të BE-së dhe SHBA-së”.
Nga partia në opozitë, Aleanca për Shqiptarët, thonë se nuk janë kundër nismave rajonale por “kundërshtojmë çdo nismë që do të përjashtonte Kosovën”.
Ngjashëm vlerëson Lëvizja Besa.
“Forma se si po zhvillohet kjo nismë nuk garanton jetëgjatësi. Çdo nismë pa përfshirjen edhe të Kosovës nuk do të kishte sukses”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Besa.
Por, veç partive politike shqiptare dilema rreth nismës ka paraqitur së fundit edhe presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski. Ai, në fjalimin vjetor në Kuvend tha se “Mini-Shengeni” duhet të jetë i plotë me përfshirjen e të gjitha gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, pasi të kundërtën kjo nismë nuk do të ketë sukses.
“I ashtuquajturi ‘Mini-Shengeni’ ballkanik duhet të përbëhet nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe jo vetëm nga tri. Pra, kjo nismë që të jetë funksionale duhet të jetë e plotë, ndryshe nuk funksionon”, ka deklaruar Pendarovski.
Kreu i i shtetit ka thënë se “Ballkanit nuk i duhen ideologjitë e shekullit të XIX dhe XX. Nëse vërtetë duam jetë më të mirë, atëherë duhet të bashkohemi sipas modelit të Evropës pas Luftës së Dytë Botërore”.
Dallime janë paraqitur edhe mes odave ekonomike. Derisa ajo që tubon afaristët shqiptarë, e që njihet si Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, sikur partitë shqiptare, kërkon përfshirjen në këtë nismë edhe të Kosovës, pasi siç thonë anashkalimi i saj “nuk do të sillte asnjë përfitim në ekonomi”.
Por, nga Shoqata e Transportuesve kanë mbështetur nismën, meqë sipas saj “nëse shfuqizohen lejet e transportit dhe lehtësohen procedurat në kufijtë mes shteteve do të kemi përfitime të mëdha, pasi hapet një treg prej 10 milionë konsumatorësh. Kjo gjithashtu siguron qasje më të lehtë në tregun e transportit nëpër Evropë”.
Deri më tani në kuadër të nismës rajonale të njohur si “Mini-Shengeni” ballkanik janë mbajtur tri takime të liderëve të Ballkanit Perëndimor, ndërkohë që Kosova nuk ka qenë e përfaqësuar, pasi që një iniciativë e tillë rajonale është kundërshtuar nga përfaqësuesit politikë në Prishtinë, përfshi ata në qeveri dhe opozitë.