Dhe kjo situatë skematike nuk është edhe aq e thjeshtë, sepse suaza diskursive politike popullohet nga personazhe që për shumëçka ngjajnë me ato të letërsisë. Zgjedhjet janë stinë “tregtie”, por edhe stinë shtegtimesh nga një parti në tjetrën. Zakonisht, më të zëshmit dhe më agresivët janë ata që i kalojnë vibrimet e “ndërgjegjes” politike nga njëra palë në tjetrën. Siç thotë në një varg Shekspiri” nxjerrin helm që nuk e kanë në zemër”. Duhet të tregohen lojalë dhe për politikën e tipologjisë ballkanike, pa asnjë parim funksionimi, një gjë e tillë mbetet normale.
Autor: Bardhyl Zaimi
Në këto ditë dhjetori “temperatura” zgjedhore ka filluar të ndjehet kudo. Partitë politike tashmë janë “lëshuar” në terren për të qenë ” gju më gju” me popullin. Kudo ndjehet ” avulli” i politikës, mjegulla e pretimeve që vjen në formë reshë misterioze dhe në të shumtën e rasteve epike. Data e zgjedhjeve duket larg, por ethet e fitoreve dhe humbjeve jetike janë kaq pranë.
Deklarime mobilizuese, kalkulimet, por edhe “aradhat” e partizanisë agresive tashmë kanë ” mprehur” gishtërinjtë e statuseve goditëse dhe komenteve disklualifikuese, siç ka ndodhur vazhdimisht gjatë cikleve zgjedhore. Ideologjitë, politika kërkon urrejtje të epshme, thotë Gjergj Konrad, autor i librit “Antipolitika”. Politika kërkon skema dhe në ambientin e këtushëm këto skema lodhshëm janë provuar disa herë. Lodhja dhe zhgënjimi ka kohë që janë sinonime të politikës.
Dhe kjo situatë skematike nuk është edhe aq e thjeshtë, sepse suaza diskursive politike popullohet nga personazhe që për shumëçka ngjajnë me ato të letërsisë. Zgjedhjet janë stinë tregtie, por edhe stinë shtegtimesh nga një parti në tjetrën. Zakonisht, më të zëshmit dhe më agresivët janë ata që i kalojnë vibrimet e ndërgjegjes politike nga njëra palë në tjetrën. Siç thotë në një varg Shekspiri ” nxjerrin helm që nuk e kanë në zemër”. Duhet të tregohen lojalë dhe për politikën e tipologjisë ballkanike dhe pa asnjë parim funksionimi, një gjë e tillë mbetet normale.
Në fakt, në hapësirën e këtushme politike gjithçka mund të kërkosh, por jo edhe normalitet. Që nga fillimi i pluralizmit politika është vendosur mbrapshtë në një labirint të errët kafkian. Pikërisht në këtë labirint janë prodhuar oligarkitë politike dhe ekonomike që më pas kanë manipuluar me prirjet qenësore demokratike të qytetarëve. Hije kurrë të padeshifruara në kurthin e tyre kanë krijuar ndasitë e epshme jashtë logjikës normale politike. Mëkatarë të dikurshëm janë shfaqur si shenjtorë të tashëm. Beteja ka vazhduar, jo mes tyre, por mes njerëzve që janë bërë pjesë e skemës dhe menaxhimit perfekt të situatave tronditëse ekzistenciale, të cilat janë projektuar si mëri dhe luftë gladiatorësh.
Hapësira politike dhe demokratike gjithnjë ka ardhur duke u tkurrur dhe duke u defragmentuar në protaginizëm mëhallash dhe logjike militante. Politika nuk e nënkupton këtë shfaqje. Por, kreatorët e “duruar” të salloneve oligarke nuk kanë hezituar që mbi hapësirën politike dhe demokratike të vendosin gijotinën e pasigurisë ekzistenciale për të luajtur më lehtë pastaj me antagonizmat etnik që vazhdimisht kanë prodhuar ” shpëtimtarë” etnikë dhe të fateve njerëzore.
Gjithë protagonistët e skenës politike aktuale janë derivate të kësaj mizanskene, damarët e së cilës shtrihen në gërmadhat e tranzicionit.
Fatalisht, shpëtimi shihet në logjikat që vijnë nga këto gërmadha. Edhe në misionet në dukje të fisme matrushkat ujdisen nga oligarkitë e kudondodhura, të korruptuara që asnjëherë nuk u ndëshkuan nga drejtësia, përkundër dyshimeve të shfaqura vazhdimisht. Ata përsëri janë pjesë e skenës politike si mendësi dhe intrigë politike dhe demokratike. Janë në një rol të ri ” demokratik” dhe tashmë merren me ” reforma” sistemore në procesin integrues.
Sëkëndejmi, tashmë janë ndarë dy hemisfera në Maqedoninë e Veriut. Hemisfera e aktorëve politik që gjithçka e kanë degjeneruar në një pragmatizëm utilitar, zhvatës dhe hemisfera e zymtë e qytetarëve që pavarësisht nga gjithë dëshoërimet mban një lidhje me këtë skemë të paravendosur. Elitat politike dhe ekonomike gjatë tërë kohës kanë ushqyer një lloj popullizmi, i cili është pranuar me një lehtësi të padurueshme nga një pjesë e qytetarëve. Përkundër faktit që tashmë gati kanë kaluar afërsisht tri dekada nga vendosja e sistemit demokratik, megjithatë një emancipim modern politik më gjithëpërfshirës akoma duket i largët.
Edhe në këtë prolog të zgjedhjeve të parakohshme vazhdohet me të njëjtin avaz. Kulti liderit dhe i partisë duket se ka ngadhënjyer mbi demokratizimin dhe politikat e projektuara. Përngjitja ka ngadhënjyer ngadhënjyer mbi kritikën kontstruktive dhe mendimin ndryshe në të njëjtin tabor. Kakofonia dhe retorika ka ngadhënjyer mbi vizionin politik, mbi mbarështrimin dhe zgjidhjet për problemet e shtresuara që rëndojnë mbi qytetarët.
Partitë politike më tepër kujdesën për egocentrizmin e tyre politik se sa për gjendjen reale të qytetarëve që i kalojnë ditët e tyre duke shpresuar në ndryshim. Duket se nuk kanë fund lojërat politike që prodhohen diku në labirintet kafkiane të tjetërsimit politik. Sheshi i politikës së njëtrajtshme është hapur si gjithnjë, ndërkohë që dëgjohen të njëjtat refrene bjerrakohëse.
Duket se mbetet tepër e vështirë që të kalohet në një nivel tjetër të politikbërjes. Një forcë tërheqëse që vjen nga elitat e përhershme gjithnjë i zhvendos koordinatat e politikës në retorika boshe dhe në premtime të pafundme që nuk realizohen asnjëherë. Është një rreth vicioz që i mban të bllokuara energjitë kreative politike dhe që krijon mjedis konfliktuoz për përplasje shterpe.
Gati tri dekada nuk është arritur që të kalohet në një koncept tjetër politik që njeh artikulime të sakta dhe moderne për problemet e shumta që si një stivë rrinë përballë qytetarëve. Njëqind ndërvarësi sistemore kanë prodhuar një makineri indiferente që dekompozon jetën institucionale dhe pamundëson krijimin e një predispozite për artikulime alternative për shumë probleme që tashmë mbeten të observuara si teori dhe si praktikë në vendet europiane.
Me gjasë edhe këto zgjedhje do të “notojnë” në mjegullën e dendur të defekteve të tranzicionit të përjetshëm. Me gjasë edhe në këto zgjedhje do të nxiten temat e ndasisë dhe përfitimeve partiake. Makineritë zgjedhore janë ndezur për të përpunuar elektoratin e lodhur dhe të pafuqishëm. Në mungesë të ideve politike ripërsëritjet mbeten e vetmja gjë që mund t’iu ofrohet qytetarëve. Loja ka filluar dhe marshet partiake dëgjohen gjithandej!