E diel, 8 Shtator, 2024

Liderët e vendeve anëtare të NATO-s në kërkim të unitetit

Udhëheqësit e vendeve anëtare të NATO-s po takohen për të zhvilluar bisedimet zyrtare, në kuadër të samitit që shënon 70 vjetorin e themelimit të aleancës ushtarake.

Bisedimet po zhvillohen në një hotel luksoz në afërsi të Londrës.

Samiti dy-ditor deri më tani është nën hijen e një tensioni midis vendeve aleate.

Pas takimit që pritet të zgjasë rreth tre orë, 29 udhëheqësit do të lëshojnë një deklaratë të përbashkët duke nënvizuar angazhimin e tyre për në NATO-n, si dhe për të treguar se aleanca po i përshtatet kërcënimeve dhe sfidave të reja.

Mikëpritësi i samitit, kryeministri britanik, Boris Johnson, tha se vendet aleate nuk duhet të tremben asnjëherë nga diskutimi për realitetet e reja dhe kërcenimet emergjente.

“Historia tregon se paqja nuk mund të mbetet si diçka e garantuar”, tha Johnson.

Ai deklaroi më pas se udhëheqësit e NATO-s e kanë mundësinë të forcojnë unitetin dhe qëllimet e aleancës.

Më herët, kabineti i tij njoftoi se Johnson gjatë takimit pritet të bëjë një apel për unitet dhe do t’ju kujtojë udhëheqësve se angazhimi i tyre për të mbrojtur njëri-tjetrin është në zemër të aleancës transatlantike, e cila u krijua nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe 10 vende evropiane në 1949 mbi parimin e mbrojtjes kolektive, mes shqetësimeve për zgjerimin sovjetik.

Dita e parë e samitit dy-ditor përfshinte një pritje nga Mbretëresha Elizabeth II në Pallatin Buckingham, një vizitë në rezidencën zyrtare të kryeministrit britanik dhe takime të ndara midis krerëve të NATO-s.

Fillimi i samitit u karakterizua nga mosmarrëveshjet midis aleatëve për çështje përfshirë operacionin ushtarak të Turqisë në Siri, si dhe komentet e muajit të kaluar nga presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili kishte deklaruar se NATO-s i ka “vdekur nga truri” dhe se angazhimi i SHBA-së për bllokun po venitet.

Disa orë pasi arriti në Londër, presidenti amerikan Donald Trump tha se përshkrimi i Macronit për NATO-n është “shumë fyes” dhe se ai ishte treguar “shumë mosrespektues” në ato komente.

Sidoqoftë, presidenti amerikan u tregua më i butë ndaj liderit francez gjatë takimit të tyre të përbashkët më vonë gjatë ditës, duke thënë se Uashingtoni dhe Parisi ndajnë së bashku “përpjekje shumë të mira”, ndërsa theksoi se ekzistojnë disa “mosmarrëveshje të vogla” mbi tregtinë.

Derisa po përgatitej mbajtja e samitit, dy çështje kyçe janë ngritur nga ana e vendeve anëtare: shpenzimet e mbrojtjes dhe marrëdhëniet midis Turqisë dhe vendeve të tjera anëtare si Franca.

Para nisjes për në kryeqytetin britanik, presidenti turk Reccep Tayyip Erdogan, tha se ai do të kundërshtonte planin e NATO-s për mbrojtjen e vendeve baltike nëse aleanca nuk e mbështet Turqinë në luftën e saj kundër grupeve kurde në Siri që ajo i konsideron terroriste.

Udhëheqësit e tjerë kanë kundërshtuar një veprim të tillë, pasi forcat e udhëhequra nga kurdët dëbuan luftëtarët e grupit ekstremist të Shtetit Islamik jashtë Sirisë lindore me ndihmën e një koalicioni shumëkombësh të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

“Kur shikoj Turqinë, ata tani po luftojnë kundër atyre që luftuan me ne krah për krah kundër [grupit IS]”, tha presidenti francez Macron më 3 dhjetor.

Macron gjithashtu bëri thirrje për bisedime gjithëpërfshirëse me Rusinë, mes tensioneve të vazhdueshme midis Moskës dhe Perëndimit.

“Është i rëndësishëm një dialog strategjik me Rusinë”, tha Macron, duke shtuar se aleanca duhet ta bëjë këtë “me sy të hapur”.

Presidenti rus, Vladimir Putin, më parë kishte deklaruar se Rusia ishte e hapur për bashkëpunim me NATO-n lidhur me kërcënimet e përbashkëta, përfshirë terrorizmin ndërkombëtar, por theksoi se përpjekjet për të krijuar lidhje më të ngushta ishin “praktikisht të kufizuara”.

Presidenti amerikan, Donald Trump, i cili ka bërë presion të madh që vendet e tjera anëtare të NATO-stë përmbushin obligimet e shpenzimeve të aleancës, e diskutoi këtë çështje me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg.

“Ne po bëjmë përparim të vërtetë, më e rëndësishmja në ndarjen e barrës financiare”, tha Stoltenberg në takim.

Ai tha se aleatët evropianë dhe Kanadaja kishin shtuar 130 miliardë dollarë në buxhetet e mbrojtjes që nga viti 2016 dhe se ky numër do të rritet në 400 miliardë dollarë deri në vitin 2024.

Vlerësimet e NATO-s tregojnë se tani ka gjithsej nëntë vende që përmbushin objektivin e rënë dakord nga anëtarët për të shpenzuar të paktën 2 përqind të produktit të tyre të brendshëm bruto në mbrojtje.

Të fundit