Nga Mero Baze
Kryeministri Edi Rama e ka kthyer në sfidë personale ligjin “Anti-KÇK”, siç e quan ai, një ligj special, i cili duket se është një dëshmi e pafuqisë së derisotme të pushtetit, në betejën kundër krimit të organizuar dhe garantëve të tij në pushtet, qoftë ky gjyqësor, a politik. Dhe përveç kësaj, ngjan dhe si një hakërrim ndaj tyre.
Ligji është i ashpër, është përtej kornizave të lirisë sonë kushtetuese dhe shumë delikat për t’iu besuar një pushteti politik. I vetmi argument i fortë që ka Edi Rama në anën e tij, është pafuqia e derisotme e tij dhe pushtetit të tij, për t’u përballur me grupet kriminale, me gjyqësorin e korruptuar dhe me mafian e rrugës, të cilat kanë mposhtur policinë dhe drejtësinë.
Është një lloj hipnoze, që ai po kërkon t’u bëjë qytetarëve me pyetjen e thjeshtë: A jeni gati të duroni pushtetin e policisë dhe ligjit, apo pushtetin e dhunës së rrugës, korrupsionit dhe grupeve kriminale? Dhe në këtë rast, populizmi punon për të.
Është një akt që e ka bërë edhe Sali Berisha në vjeshtën e vitit 1996, kur përmes një pakete të ashpër anti-krim, futi në burg një sërë bandash të rrugëve, që nga Berati e Vlora, e deri në Shkodër, të cilat pastaj u kthyen në kontigjente kriminale të vitit 1997, kur burgjet u hapën dhe paketa anti-krim u shfuqizua si antikushtetuese.
Nuk është se nuk pati rezultat, kur u vu në funksion, por keqpërdorimi politik shpesh herë, dëmtoi dhe aksione të bujshme policie.
Pra Edi Rama ka identifikuar mungesën e një pushteti ligjor për t’u përballur me “të fortët” e rrugës, të biznesit dhe gjyqësorit. Dhe atë pushtet, po e prodhon përmes kësaj pakete ligjore.
Përveç rrezikut, që shpresoj të shmanget, ai i abuzimit me liritë e qytetarëve të thjeshtë për interesa personale apo politike, ky ligj ka dy armiq të mëdhenj, rezultatet konkrete dhe kohën.
Kur them rezultatet, kam parasysh se shembujt e parë të përdorimti të këtij ligji, do të kenë shumë rëndësi për të bindur qytetarët, nëse ky është bërë për banda, apo për njerëz pa pushtet, për oligarkë që kapin drejtësinë njësoj si kriminelët, apo për ndonjë që s’ka deklaruar lekët e emigracionit, për dikë që është kthyer në një pushtet më vete për shkak të trafiqeve dhe krimit të organizuar, apo për ndonjë armik të pushtetit, pa pushtet të tillë. Dhe shembulli në Shqipëri godet më shumë se ligji. Shpresoj të mos jenë zhgënjyes.
Dhe së dyti, kur them kohën, kam parasysh se ky ligj pamvarësisht se nuk ka dispozitë kalimtare, për kohën sa do të zgjasë, vështirë se i mbijeton Gjykatës Kushtetuese në të ardhmen. Ndaj si i tillë, në mënyrë fatale dhe ai është i dënuar të jetë ligj i tipit “kap kë të kapësh”, derisa të jetë në fuqi, me shpresë se normaliteti në këtë vend, nuk do të vijë nga ligje speciale, por një sistem i ri drejtësie dhe një politikë, e cila mund ta bëjë këtë vend më të drejtë, më të barabartë, dhe më njerëzor.
Pasi po të ishim vend normal, sot do të kishim një betejë doktrinare kundër ligjit nga opozita, një betejë që duhet të shmangte populizmin, të merrej me thelbin e problemit dhe të përballej me dilemën a ja vlen të kufizojmë liritë tona në favor të sigurisë, apo krijimit të një vendi më normal. Dhe ndoshta propozime konkrete për ndryshime të ligjit.
Po pikërisht kur ti pret të dëgjosh diçka të tillë të përgjegjshme nga opozita, dëgjon Lulzim Bashën që thotë se kur të vijë ai në pushtet, do t’ua marr lekët të pasurve dhe oligarkëve dhe do t’ia ndajë popullit. Të keqen e ligjit Anti- KÇK.