E enjte, 25 Prill, 2024

PËRCAKTIMI PRO-PERËNDIMOR DHE JOSHJA NGA LINDJA

Vetë orientimi i shqiptarëve etnikë kah Perëndimi nuk krijon bazë për ndikime të theksuara nga Rusia, Kina, Irani apo nga vendet e Gjirit Persik. Ky orientim u vulos sot e 111 vjet më parë, kur në Kongresin e Manastirit shqiptarët u deklaruan për alfabetin latin. Asnjë tentim nga Lindja nuk ka arritur ta devijojë këtë orientim.

 

Shkruan: Xhelal NEZIRI 

 

Rënia e regjimit komunist është ngjarja më e madhe e shekullit të XX dhe një fitore poaq e madhe e njeriut mbi shtypjen nga sistemi. Ky moment duhet të shërbejë si mësim për të gjithë politikanët se sistemet jodemokratike nuk mund të jenë afatgjate pasi lidhen me kultin e individit.

Nuk janë të qëndrueshme poashtu sepse nuk sigurojnë liri, barazi, dinjitet, standard jetësor dhe perspektivë të ndritshme. Nëse marrim shtetet që kishin sistemin komunist si model qeverisjeje, të gjitha përjetuan kolaps në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar.

Qetësia sociale ishte e garantuar vetëm nga figura e liderëve si Stalini, Tito, Hoxha, Çaushesku e kështu me radhë. Me vdekjen e tyre ra edhe sistemi i ngritur mbi autoritetin, duke lënë pas shkatërrime nga luftërat e revolucionet.

Edhe pse Çekoslovakia e atëhershme ishte një shembull i zhvillimit ekonomik në kuadër të Bllokut Lindor të udhëhequr nga Bashkimi Sovjetik, e kjo ishte më tepër meritë e të qenurit pjesë e federatës Gjermane para Luftës së Dytë Botërore, megjithatë ekonomia e këtij shteti ishte dukshëm më e dobët se e vendeve të Evropës Perëndimore. Ekonomia ra tërësisht pas revolucionit si rezultat i korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Pyetja që shtrohet sot, tre dekada më pas, është se çka përfituan këto shtete nga largimi prej ish-bllokut sovjetik?

Sot Çekia është një vend anëtar BE-së dhe NATO-s, me një ekonomi të zhvilluar dhe me rritje më të madhe në Evropë, me vetëm 5.9 për qind të papunësisë dhe me demokraci funksionale. Do të thotë përfituan shumë nga largimi nga ish-blloku Sovjetik. Fituan një jetë të re, ku liria dhe dinjiteti i njeriut janë në radhë të parë, e jo kulti i liderit.

ORIENTIMET

Përpjekjet për ndikime të fuqive të mëdha kanë qenë të pranishme në forma të ndryshme në Evropë dhe në Ballkan dhe do të vazhdojnë të jenë edhe në të ardhmen.

Janë shtetet më të vogla ata që duhet të veprojnë me mençuri dhe vizion kur bëhet fjalë për orientimet e tyre strategjike. Jo vetëm Çekosllovakia, por edhe vendet tjera të Evropës qendrore si Polonia dhe Hungaria, e kanë të qartë se vetëm lidhja me Perëndimin mund t’u sigurojë atyre një progres dhe paqe të qëndrueshme.

Kjo nuk do të thotë se duhet të jenë në armiqësi me Lindjen, në rastin konkret Rusinë apo Kinën, por mbrojtja e vlerave perëndimore, të cilat në fokus e kanë njeriun, është diçka e shenjtë për to. Njerëzit në vendet e Evropës Qendrore kanë ndjerë në lëkurën e tyre ashpërsinë e regjimit komunist.

INTERESAT

Rusia ka si interes strategjik daljen në ujërat e Mesdheut, apo siç i quajnë “ujërat e ngrohta”. Për këtë arsye në vitet e kaluara kishim një prani të madhe të kapitalit rus në Malin e Zi, në Qipro dhe një prani të fortë ushtarake në Siri.

Të tre këto vende me dalje në detin Mesdhe janë cak në hartën e Rusisë për të mbajtur ndikimin e lartë në vendimmarrje me qëllim të operimit në Mesdhe. Ballkani u bë rajon me interes të madh strategjik për Rusinë veçanërisht pas 2013-ës, kur filloi ndërtimi i gazsjellësit “Rrjedha jugore”. Tubacionet e gazit planifikoheshin fillojnë nga Rusia, të kalojnë nëpër Detin e Zi, të vazhdojnë në Bullgari, Maqedoni të Veriut, Serbi dhe të futen në BE.

Në këtë mënyrë do të hiqej Ukraina nga harta e furnizimit me gaz dhe kështu do të bëhej vend i parëndësishëm në furnizimin e Evropës me gazin rus. Refuzimi i Bullgarisë e më pas edhe i Maqedonisë së Veriut bëri që të ndryshojë vija e gazsjellësit dhe të kalojë nëpër Detin e Zi e të ngjitet në pjesën evropiane të Turqisë. Ky gazsjellës pritet të lëshohet në përdorim në dhjetor të këtij viti dhe më pas pritet të kalojë në Evropë nëpërmjet Bullgarisë.

Frika, sidomos e Uashingtonit, është se varësia e Evropës nga energjia ruse mund t’i bëjë këto shtete të varura dhe të prekshme nga ndikimi politik rus. Nga ana tjetër, Rusia shfrytëzon gazin si mjet të suksesshëm për të ndikuar në politikat e brendshme të vendeve që i pajis.

ARMATOSJA

Rusia në vendet e Ballkanit shfrytëzon më shumë afërsinë kulturore (gjuhësore) dhe atë religjioze me popujt ortodoksë, sesa bën diçka konkrete për të rritur ndikimin. Vetëm në Malin e Zi investimet ruse kapin 30 përqindëshin e Bruto Prodhimit Vendor (BPV), kurse në Serbi ato janë vetëm 10 për qind.

Në bazë të investimeve dhe shkëmbimit tregtar, Rusia është kah fundi i listët së 10 partnerëve më të mëdhenj tregtarë të Serbisë. BE-ja, në veçanti Gjermania, është larg para Rusisë si partner nga i cili varet ekonomia serbe. Madje, Gazprom e shet një kub gaz në Serbi me çmim më të shtrenjtë për 10 për qind sesa në vendet tjera.

Edhe Serbia e ka të qartë se Rusia nuk është alternativë, por e përdor afërsinë me Moskën si mjet për të siguruar një pozitë më të favorshme në raportet e saj me Perëndimin. Armatimi që Rusia i jep Serbisë është i vjetruar dhe pa leverdi për këtë vend.

Në këtë mënyrë kjo armatosje nuk mund të krijojë ndonjë çekuilibrim forcash në Ballkan nga shkaku se Mali i Zi, Kroacia dhe Shqipëria janë pjesë të NATO-s, Maqedonia e Veriut pritet që në fillim të vitit të ardhshëm të promovohet si anëtarja e 30-të e Aleancës, kurse në Kosovë është stacionuar NATO.

BASHKIMI EUROASIAN

Rusia ka një treg të madh dhe atraktiv për ekonomitë e vendeve tjera. Bashkë me Bjellorusinë, Armeninë, Kazakstanin dhe Kirgistanin formojnl Bashkimin Euroasian që numëron 180 milionë banorë.

Por, nga ana tjetër tregu i BE-së numëron 512 milion banorë dhe jep mundësi më të mëdha për prodhimet jo vetëm të vendeve të Ballkanit, por edhe për vendet tjera.

Edhe pse ka marrëdhënie të afërta me Rusinë, Turqia nuk është përgjigjur pozitivisht ftesës për të qenë pjesë e Bashkimin Euroasian pikërisht për këtë shkak. Përfshirja e Serbisë në këtë Union nuk do të thotë se ky vend ka hequr dorë nga BE-ja.

Siç thashë më lartë, ekonomia serbe varet nga lidhjet me vendet Evropiane e jo nga Rusia. Në politikë gjithmonë në rend të parë vihen interesat, e jo emocionet.

SHQIPTARËT

Prania e Rusisë në Shqipëri, Kosovë dhe te shqiptarët në përgjithësi është thuajse e parëndësishme.

Ndikimi i saj në Kosovë arrihet vetëm nëpërmjet pranisë në pjesën veriore të vendit. Në vitin 2016 Rusia ka shënuar investime prej vetëm 2 milionë eurosh në Kosovë, kurse ka eksportuar mall në vlerë prej vetëm 7 milionë eurosh. Vetë orientimi i shqiptarëve etnikë kah Perëndimi nuk krijon bazë për ndikime të theksuara nga Rusia, Kina, Irani apo nga vendet e Gjirit Persik. Ky orientim u vulos sot e 111 vjet më parë, kur në Kongresin e Manastirit shqiptarët u deklaruan për alfabetin latin. Asnjë tentim nga Lindja nuk ka arritur ta devijojë këtë orientim. /KDP

Të fundit