E hënë, 11 Dhjetor, 2023

Komisionari Hahn bisedon me Kurtin për dialogun dhe reformat

Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, ka thënë se normalizimi i raporteve me Serbinë është çështje thelbësore për perspektivën evropiane të Kosovës dhe tërë rajonit.

“Unë pres që qeveria e re të vendosë këto objektiva në qendër të programit të saj”, tha Hahn në rrjetin social Facebook, pas një takimi që kishte në Bruksel, me kryetarin e Vetëvendosjes, njëherësh kandidat kryesor për mandatar të qeverisë së ardhshme, Albin Kurti.


s

Komisionari Hahn tha se me Kurtin kanë pasur një shkëmbim interesant të pikëpamjeve, dhe se janë pajtuar që reformat evropiane janë rruga e vetme për të siguruar perspektivë për njerëzit e Kosovës, në veçanti të rinjtë.

Bashkimi Evropian si lehtësues i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është duke shpresuar se me formimin e qeverisë së re të Kosovës, do të mundësohet vazhdimi i dialogut përmes heqjes së taksës ndaj mallrave serbe, e cila ka qenë arsye e ndërprerjes së tij.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, menjëherë pas zgjedhjeve të 6 tetorit, Kurti ka thënë se “jemi të gatshëm, por edhe të interesuar që tarifën 100 për qind, ta zëvendësojmë me reciprocitet të plotë me Serbinë në përputhje me Rezolutën e Kuvendit të Kosovës të datës 7 dhjetor 2011”.

Të fundit