E diel, 26 Janar, 2025

PENDAROVSKI: ZGJEDHJET DO TË MBAHEN MË 12 PRILL

Presidenti Pendarovski nuk e vë në dyshim mbajtjen e zgjedhje në datën tashmë të caktuar nga të gjitha partitë politike. Ai nuk sheh asnjë komplikim për ratifikimin e protokollit për anëtarësim në NATO. Pendarovski paralajmëron diplomaci më të përforcuar dhe takim me presidentin francez, Makron.

Autore: Xhumadije Ibrahimi

Presidenti Stevo Pendarovski thotë se është optimist se zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 12 prill, ngase siç thotë, edhe qeveria teknike mund ta ratifikojë protokollin për NATO. Ai ka theksuar se kreu shtetëror është duke zhvilluar një diplomaci të sforcuar pas dështimit për të marrë datë për negociata në Bruksel dhe pret që të ketë një takim të drejtpërdrejtë me Presidentin e Francës Emanuel Macron.

Duke folur për mosmarrjen e datës për negociata Presidenti Pendarovski njoftoi se në javët që vijnë, do të duhet të marrim sinjal më të qartë në këtë drejtim, nëse së shpejti mund të ndryshohet, sepse siç shprehet ai, ishte rezultat tërësisht i padëshiruar në Samitin e fundit të BE-së, para së gjithash nga Franca.

“Diplomacia jonë, pjesë e së cilës jam edhe unë, sepse jam kompetent në bazë të kushtetutës dhe ligjit për të përfaqësuar vendin jashtë, bëjmë përpjekje që nga dita e parë, menjëherë pas përfundimit të samitit të fundit të BE-së, të takohemi në nivel të lartë me republikën franceze dhe drejtpërdrejt edhe presidentin Makron edhe me njerëzit rreth tij. Të shohim çfarë kërkojnë nga ne që të mund ta tejkalojmë këtë situatë të pakëndshme në të cilën kemi ardhur pa meritat tona”, ka theksuar Pendarovski.

Sa i përket zgjedhjeve të parakoshme parlamentare nëse ekziston mundësia që të njëjtat të prolongohen, Pendarovski shprehet kategorik se data për zgjedhje nuk duhet të vihet në pikëpyetje.

“Në lidhje me këtë nuk duhet të ketë asnjë dilemë. Kuvendi ekziston dhe është aktiv dhe funksional derisa të zgjidhet dhe të konstituohet kuvendi i ri, njësoj si qeveria, d.m. th deputetët kanë mandate deri në ditën e fundit derisa të fillojë mandati i përbërjes së re të deputetëve. Nëse ka nevojë, nëse në atë periudhë, ratifikimi të bëhet te ne, nuk ka asnjë problem, këtë do ta bëjë kuvendi. Apeloj që të mos merremi me arsyetime teknike dhe juridike, normat kushtetuese janë të qarta në këtë pjesë. Kur keni qeveri teknike, duhet të keni edhe Kuvend me specifika të tilla, d.m.th edhe Kuvend teknik. Nuk mund të ekzistojë vetëm Qeveria teknike, ndërsa Kuvendi të mos ekzistojë fare. Të mos hyjmë në këto dilema juridike, ajo që është jokontestuese për mua është se do ta ratifikojmë, data për zgjedhje nuk duhet të vihet në pikëpyetje”, ka theksuar presidenti Stevo Pendarovski.

Këto komente Pendarovski i ka bërë gjatë vizitës së tij në rajonin e Tetovës në kuadër të projektit ‘Ballë për Ballë me Presidentin’. Ai gjithashtu gjatë ditës ka qëndruar edhe në Komunën e Tearcës ku ka vizituar shkollën e këtij vendbanimi, aktivistë të kësaj komune dhe objekte kulturore e fetare.

Të fundit