E enjte, 12 Shtator, 2024

Racizmi i Millomir Mariqit: rasti i profesorit Danijel Sinani

Një gazetar i qymezeve të ndyra të Beogradit nxit racizëm ndaj shqiptarëve.

Shkruan: Enver Robelli

Në prill të vitit 2018 Ramush Haradinaj si kryeministër i Kosovës e priti në zyrën e tij gazetarin e dyshimtë serb Millomir Mariq. Qëllimi i Mariqit ishte që Haradinajn ta prezantojë si përfaqësues të një fisi indianësh, ndërsa Haradinaj u përpoq që me një serbishte të çalë të tregohet liberal.

Shumë politikanë të Kosovës, sidomos ata që kanë të kaluar në UÇK, ndiejnë një nevojë të pashpjegueshme të paraqiten në mediat serbe, të flasin poshtë e lartë, me gjasë shpresojnë se do të fitojnë ndonjë poen te ajo që quhet bashkësi ndërkombëtare. Pas intervistës Mariq u ofroi pak ushqim mediave bulevardeske serbe, të cilat njoftuan për «pirjen e dekadës» të Mariqit dhe Haradinajt. Kjo intervistë e Haradinajt ishte totalisht e panevojshme.

Mariq është një gazetar i regjimit të Aleksandër Vuçiqit. Një legen publicistik tipik për skenën politike ballkanike – e cila ka ngjashmëri mes Beogradit, Prishtinës, Tiranës, Shkupit, Podgoricës. Emisioni «Ćirilica» i Mariqit emitohet në televizionin «Happy TV», aty defilojnë Vojisllav Shesheli dhe gjeneralë serbë që dyshohet të kenë kryer krime lufte në Kosovë, ultranacionalistë dhe racistë, e ndonjëherë në studiot e këtij kanali televiziv e humb rrugën edhe ndonjë liberal i dëshpëruar i Beogradit.

Pas intervistës me Haradinajn gazeta gebelsiane serbe «Informer» nisi të argëtojë opinionin serb me tituj si ky: «Mariqi zbulon se çka i tha në fytyrë kriminelit shqiptar (në origjinal: šiptar)! Haradinaj u bë i krishterë për shkak të serbëve». Që mediat kriminale serbë merren me këtë lloj gazetarie, kjo nuk është e befasishme, por e neveritshme është që politikanët shqiptarë pranojnë të luajnë rolin e «idiotit të dobishëm».

Pas zgjedhjeve të fundit parlamentare në Kosovë mediat proqeveritare serbe filluan një fushatë për të prezantuar Albin Kurtin si përkrahës të «terroristëve». Për të përforcuar këtë tezë Mariqi e ftoi në studio Danica Marinkoviqin, gjykatësen dikur famëkeqe serbe në Prishtinë. Në pyetjen e parë Mariq nënvizoi se gati të gjithë politikanët e Kosovës, përfshirë edhe Kurtin, kanë qenë «pacientë» të Danica Marinkoviqit.

Tani Mariq i është vërsulur profesorit Danijel Sinanit pas pjesëmarrjes së këtij të fundit në emisionin «Utisak nedelje» (Përshtypja e javës). Siç e tregon mbiemri ky njeri duket se ka origjinë shqiptare. Sipas gazetës liberale «Danas» Sinani u lind më 1973 në Kralevë. Ka diplomuar, magjistruar dhe doktoruar në degën për etnologji dhe antropologji të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Beogradit, ku tani punon si profesor i rregullt.

Për shkak se profesori Sinani, bashkë me rektoren e Universitetit të Beogradit Ivanka Popoviq, ka marrë pjesë në negociatat me studentët, të cilët për 12 ditë bllokuan rektoratin, Millomir Mariqi e ka parë të udhës që t’ia numërojë atij rruazat e gjakut. E ka tallur Sinanin për «mbiemrin e dyshimtë», ka thënë se nuk mund të jetë «gjykatës moral», sepse po ta bënte këtë në Kosovë një serb, atë do ta «pushkatonin Thaçi dhe Haradinaj». Mariqi tha se Sinani ligjëron gjuhën shqipe në Beograd (nuk është e vërtetë), pastaj shtoi se ligjëron edhe «roka mandoljina» (referencë këngës «Rroka mandolinën», të cilën e këndojnë edhe disa grupe serbe të muzikës). Pas ofendimeve nga Mariqi profesor Sinani tha se pret reagimin e autoriteteve përgjegjëse në Serbi. Duket se në disa qarqe në Serbi shqiptari nuk mund të përfytyrohet ndryshe përveç se si bartës qymyri, bozaxhi, shitës byreku. Nga paraqitjet e Mariqit politikanët shqiptarë mund të nxjerrin një mësim: të mos harxhojnë kohë duke i thënë intervista një racisti.

Të fundit