Gjasat mbeten shumë të vogla që regjistrimi i popullsisë të bëhet sivjet. Nga Enti Shtetëror i Statistikave thonë se regjistrimi para zgjedhjeve është i pamundshëm për shkak se akoma nuk ka një ligj dhe se kjo fazë do të jetë e politizuar. Ndërkohë, VMRO-DPMNE ka dorëzuar 20 kërkesa për ndryshime në mënyrën e regjistrimit, të cilat, sipas drejtorit të statistikës nëse miratohen do ta çojnë procesin në kolaps. Lideri i VMRO-DPMNE-së ka thënë se regjistrimi në bazë të rekomandimeve bëhet në fillim të dekadës dhe jo në fund.
Autore: Xhumadije Ibrahimi
Politika ia “rrëmben” 12 prillin statistikës. Zgjedhje të parakohshme në vend të regjistrimit të popullsisë, ky është epilogu i vendosur nga liderët, përkundër faktit që regjistrimi ishte planifikuar. Nga Enti Shtetëror për Statistikë thonë se deri në prill nuk është e mundur që të organizohet operacioni i numërimit, sidomos për faktin se ende nuk është miratuar ligji për regjistrim, por edhe sepse nuk rekomandohet që operacioni të zbatohet në periudhë të politizimit të theksuar të popullatës. Opozitarja VMRO-DPMNE ka rreth 20 kërkesa për ndryshime në propozim-rregullativën, të cilat nëse miratohen, sipas drejtorit të Entit për statistikë, Apostoll Simovski, do të çojnë në kolaps të operacionit si në vitin 2011.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të planifikuara për më 12 prill, sërish do ta prolongojnë regjistrimin e popullsisë në Maqedoninë e Veriut, me shumë gjasë për në vjeshtë ose më vonë. Popullata dhe amvisëritë në vend nuk janë numëruar që nga viti 2001, që do të thotë se secila degë ekonomike ose shoqërore analizat dhe planet e saj për zhvillim i bazon në shifra të vjetra ose parashikime të mjegullta, sepse regjistrimi i rregullt i popullsisë në vitin 2011 për arsye politike u ndërpre dhe asnjëherë nuk u përfundua.
“Afati në prill është i papërshtatshëm për kryerjen e regjistrimit të popullsisë, duke pasur parasysh se janë caktuar zgjedhje dhe i njëjti duhet të prolongohet. Mundësia të bëhet regjistrimi i popullsisë para zgjedhjeve është gjithashtu teknikisht e pamundur, sepse regjistrimi është operacion i madh”, thekson drejtori i Entit Shtetëror të Statistikës, Apostoll Simovski
Pavarësisht kur do të arrihet marrëveshje për zhvendosjen e numërimit, për anëtarët e statistikës prioritet është që Kuvendi ta miratojë Ligjin për regjistrim, që për momentin po ngec për shkak të 20 kërkesave për ndryshime në dokumentin e propozuar, në të cilat ka insistuar opozitarja VMRO-DPMNE. Një nga kërkesat ka të bëjë me metodologjinë për numërimin e të shpërngulurve, ndërsa kërkesë tjetër është që regjistrimi të prolongohet për në vitin 2021.
“Është e panatyrshme të keni regjistrim të popullsisë në fund të dekadës. Është logjike, dhe sipas rekomandimeve nga Eurostat-it, të keni regjistrim në fillim të dekadës. Tani, kështu siç është afati nuk shoh sqarim logjik metodologjik se gjatë vitit të ardhshëm do të kemi regjistrim të popullsisë”, ka theksuar lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski
Përveç dëmit në biznes dhe në të gjitha institucionet tjera që programet e veta të zhvillimit nuk mund t’i bazojnë në shifra relevante për numrin e popullsisë në Maqedoninë e Veriut për momentin, shtyrja e regjistrimit nuk do të duhej të shkaktonte humbje financiare. “5600 laptopët e porositur, si mjet bazë të po aq regjistruesve, siç planifikohej, do të duhet të anulohen, por pa paguar penale”, thotë Simovski, ndërsa trajnimi për regjistruesit nuk ka filluar, sepse nuk është miratuar ligji. Në mars të vitit 2018, Prokuroria Speciale Publike, tashmë e zhbërë, filloi hetimet për ish-kryeministrin Nikolla Gruevski dhe liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, për shkak të dëmtimit të buxhetit të shtetit për 2,8 milionë euro, me anulimin e regjistrimit të filluar në vitin 2011. “Kur e kanë parë se nuk kanë kapacitet për t’i fshehur faktet demografike për vendin, ata me qëllim që t’i ikin përgjegjësisë janë marrë vesh të thonë se arsyet për ndërprerjen e regjistrimit janë të natyrës teknike”, kishte deklaruar prokurorja speciale Fatime Fetai.
Në ndërkohë përfaqësues të partive politike janë shprehur se do t’i shikojnë mundësitë që regjistrimi i popullsisë të bëhet sivjet. Por, me gjase ky vit do të jetë zgjedhor dhe shumë pak hapësirë mbetet për të shpresuar se sivjet do të ketë regjistrim.