Për analistët zgjedhjet janë rrjedhim logjik i një situate që erdhi nga refuzimi i negociatave, por edhe nga problemet e shumta që nuk gjetën zgjidhje. Ata, gjithashtu theksojnë se ky vendim nënkupton se në vend po instalohet një lloj përgjegjësie politike. Listat e hapura nga analistët shihen si një mundësi për rritjen e kualitetit të përfaqësimit
Autore: Xhumadije Ibrahimi
Moscaktimi i datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE për Maqedoninë e Veriut ka imponuar një situatë tjetër në skenën politike. Nga takimi i liderëve te presidenti i shtetit Stevo Pendarovski, 12 prilli tashmë është caktuar si datë kur duhet të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Vendimin për zgjedhje të parakohshme analistët politikë e shohin si një domosdoshmëri pas refuzimit për hapjen e negociata. Zgjedhjet e parakohshme të 12 prillit, kanë arsyetimin e plotë që të ndodhin, aq më tepër kur partitë opozitare, kërkojnë me ngulm krijimin e një atmosfere të mirëfilltë politike, thotë profesoresha universitare, Besa Kadriu. Ndërkohë, analisti Qani Nuhiu, thekson se vendimi i marrë për zgjedhjet e parakohshme tregon se në vend po instalohet një lloj përgjegjësie politike.
Kadriu, gjithashtu thotë se me këtë u tregua një lloj gatishmërie për fillimin e proceseve të mëtejme në vend. Sipas saj, zgjedhjet e parakohshme nuk ishin imponim, por thjesht erdhën siç shprehet ajo, si derivat i problemeve të cilat nuk arritën të zgjidhen.
“Ky proces tani më ka arsyetimin e plotë që të ndodhë aq më tepër kur partitë apo subjektet e partive politike të krahut të pozitës gjithnjë e më tepër aludojnë që të krijohet një atmosferë e mirëfilltë politike jo vetëm në pikëpamje formale por ajo të përkoj me realitetin e praktikës dhe shoqërisë dhe situatës reale të këtij vendi. Jo vetëm pse dikush, ose subjekte politike të opozitës ndoshta këtë më shumë do ta dëshironin, por thjesht për hir të rrethanave të cilat janë pjesë e procesit të detyrueshëm për të dalë vendi më lehtë nga kriza, dhe për ta çuar procesin e integrimeve përpara”, thotë Besa Kadriu.
Sipas analistit, Qani Nuhiu, Maqedonia edhe ashtu, po futej në një vit zgjedhor, dhe pak rëndësi ka nëse zgjedhjet do të mbahen disa muaj më parë ose më pas. Sipas tij, e rëndësishme në gjithë këtë është fakti që po instalohet një lloj përgjegjësie politike.
“Me vendimin politik për zgjedhje të parakohshme, është instaluar një lloj përgjegjësie politike. Është fakt se vendit do ti kushtojë kjo, më tepër në aspektin kohor, megjithatë demokracia ka parametrat e veta. Mund të kemi situatë që punët e shtetit të lihen mënjanë dhe partitë politike të fokusohen në fushatë që tani dhe të kemi një garë bukur të gjatë, pra rreth 6 muaj garë zgjedhore”, thotë Nuhiu.
Nga ana tjetër, analistët po ashtu sugjerojnë që të fillohet që tani të debatohet për ndryshimet në Kodin zgjedhor. Të njëjtit theksojnë se listat e hapura, gjithsesi që janë në interes të demokracisë, përfaqësimit më cilësor politik, transparencës institucionale që zgjedhjet të jenë të drejta dhe të rregullta.
Çështja e Kodit zgjedhor disa herë është aktualizuar, por deri më tani partitë nuk kanë arritur që të dakordohen për ndryshimin e tij edhe pse është paralajmëruar një gjë e tillë. Gjithashtu edhe listat e hapura janë diskutuar si mundësi. Një numër i madh analistësh kanë theksuar ndërkohë rëndësinë e listave të hapura, që realisht do të mundësonte një kualitetit të ri përfaqësimi politik.
Edhe pse ka akoma kohë për t’u diskutuar mbi këto problematika nuk dihet nëse ato do të gjejnë pajtueshmërinë e partive për t’i vënë në agjendën e kësaj faze parazgjedhore, që nuk e nënkupton 100 ditëshin e qeverisë teknike, siç parashihet me formulën e Përzhinos, që tashmë është inkorporuar në ligj.