Zgjedhjet e parakohshme vijnë si pasojë e pashmangshme e përplasjeve konceptuale brenda BE-së që rezultoi me mos hapje të negociatave, por edhe e optimizmit të sforcuar se gjithçka është e sigurtë për fillimin e negociatave. Një opsion racional për t’u rikthyer edhe njëherë te vullneti elektoral, por edhe një moment reflektimi për të riafirmuar angazhimet për integrime pavarësisht nga zhgënjimet. Zvenitjet e momentit nuk guxojnë të ushqejnë diskurse “fataliste” në procesin e integrimeve. Thjesht duhet bërë detyrat. Zgjedhjet duhet të prodhojnë një mobilizim të ri, një sinergji politike europiane që nuk “fiksohet” tek një datë, por që fokusohet te ndryshimet substanciale.
Autor: Bardhyl Zaimi
Euforitë dhe bindjet e pabazuara gjithmonë prodhojnë situate dramatike. Në politikë dhe në diplomaci gjithmonë ekzistojnë probabilitete që i bëjnë të paparashikueshme zhvillimet në një kontekst të caktuar. Ata që besojnë se i zotërojnë ligjësitë fluide dhe përhershmërisht të ndryshueshme të konstelacioneve të mëdha dalin të zhgënjyer dhe të shokuar. Vetëm një optimizëm realist mund të jetë ngushëllues për pasojat që vijnë nga kombinatorikat e “lojërave” të mëdha diplomatike dhe konceptuale.
Maqedonia e Vreriut dhe Shqipëria, siç dihet tashmë, nuk kanë marrë një datë për fillimin e bisedimeve. Vetoja e Francës ka qenë vendimtare që gjithë optimizmi paraprak të shndërrohet në një zhgënjim për dy kryeministrat, Zoran Zaev dhe Edi Rama. Pas një ankthi që ka zgjatur me orë të tëra presidenti francez Emanuel Makron, nuk ka shfaqur gatishmëri që dy vendet e Ballkanit Perëndimor, të marrin datën për fillimin e negociatave.
Pas vetos për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë të cilën Franca e përdori në Samitin e Këshillit Evropian në Bruksel, presidenti francez Emanuel Makron kishte theksuar se jo çdo fqinj i BE-së duhet të jetë anëtar i Bashkimit. “Unë nuk mendoj se e vetmja marrëdhënie, që duhet të kemi me vendet tona fqinje duhet të jetë zgjerimi. Evropa do të ishte atëherë fuqia e vetme botërore, që do të konsideronte se politika e fqinjësisë nënkupton propozimin e anëtarësimit”, ishte shprehur Makron. Në fjalimin e tij integral pas samitit, Makron ka shpjeguar veton e tij, por edhe ka vlerësuar punën e bërë në të dy shtetet në rrugën e reformave.
Mos marrja e datës për fillimin e bisedimeve ka qenë përcaktuese për fatin e kryeministrit Zaev dhe qeverisë së tij. Zaev gjatë tërë kohës ishte prononcuar për një fillim të sigurtë të negociatave me BE, por vetoja franceze kishte qenë fatale për pozicionin e tij si kryeministër, në kohën kur gjithë shpresat për vazhdimin dhe fuqizimin e qeverisë së tij ishin përqendruar në këtë moment tepër të rëndësishëm për gjithë qytetarët.
Përkundër faktit që të gjithë përfaqësuesit e institucioneve europiane dhe të shumicës së shteteve anëtare ishin deklaruar se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria i plotësojnë kushtet për fillimin e negociatave, qëndrimi presidentit Makron mbetej i palëkundur në konceptin e tij për të promovuar një metodologji të re për negociatat që rezultoi të jetë përcaktues për zhvillimet në skenën e brendshme politike në Maqedoninë e Veriut.
Pas vetos franceze, e cila vinte si një paralajmërim i heshtur që më herët, kryeministri Zaev, tashmë kishte dy opsione përpara vetes edhe pse ai në një pres konferencë kishte deklaruar se në kokë i ishin “rrotulluar” disa opsione.
Njëri i opsion mbetej që të vazhdonte mandatin e tij, duke rrezikuar të prodhonte një situatë turbulente, ndërkohë që opozita tashmë kishte paralajmëruar protesta, ndërsa opsioni tjetër ishte që të shpallte zgjedhje të parakohshme si një mundësi për t’i dhënë hapësirë një procesi më të qetë politik, përmes të cilit edhe njëherë do të verifikoheshin rrugët e vullnetit politik elektor.
Dhe kryeministri Zaev kishte zgjedhur opsionin e dytë, më të arsyeshmin, që vinte mbase edhe nga një zhgënjim i thellë personal i tij, pas gjithë atyre premtimeve që tashmë dukeshin përcaktuese për marrjen e datës për fillimin e bisedimeve, por që ishin shndërruar në një keqardhje pas vetos franceze. Realisht, ky epilog dukej i pashmangshëm, ndërkohë që kryeministri Zaev gjatë tërë kohës në më nyrë të sforcuar kishte shfaqur bindjen se çështja e datës ishte një punë e kryer.
I ndodhur mes këtij zhgënjimi dhe një presioni permanent nga opozita për zgjedhje të parakohshme, çdo opsion tjetër do të thoshte apati politike dhe një qeverisje që tashmë e kishte të humbur legjitimitetin moral për t’u angazhuar edhe njëherë për procesin integrues, që tashmë po shtyhej përtej çdo pritjeje. Zgjedhjet e rregullta parlamentare dukej se tashmë nuk ishin një opsion, sepse kjo ndërmjetkohë do të prodhonte shumë situate dramatike me shumë të panjohura, ndërkohë që kjo rrugë do të përshkohej nga një lodhje justifikuese.
Pas konsultimeve me udhëheqësinë e partisë dhe partnerët e koalicionit, Zaev, kishte kërkuar zgjedhje të shpejta, në mënyrë që qytetarët ta përcaktonin se cilën rrugë do të zgjedhin në këto momente vendimtare. Në ndërkohë, presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, kishte kërkuar takim liderësh për ta kahëzuar politikisht situatën pas mos marrjes së datës nga Këshilli Europian.
E diela e 20 tetorit, vetëm dy ditë pas lajmit për mos hapjen e negociatave ka mbledhur ndërkohë në rezidencën e presidentit Stevo Pendarovski, lidërët e partive politike për të diskutuar opsionin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Pas vlerësimit unanim se të gjitha partitë politike mbeten të përkushtuara në rrugën e integrimeve euroatlantike, në pjesën e dytë të takimit liderët kanë rënë dakord që më 12 prill të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Tashmë është bërë e ditur se prilli do të jetë muaj zgjedhor, ndërkohë që të gjitha partitë kanë vlerësuar se ky është një vendim i domosdoshëm për t’i dhënë edhe njëherë legjitimitet politik rrugëtimit të pakthyeshëm drejt BE-së. Zgjedhjet e parakohshme do të mbahen sipas formulës së Përzhinos të implementuar edhe në kushtetutë që nënkupton qeveri teknike 100 para mbajtjes së zgjedhjeve. Nga një përllogaritje që e nënkupton datën e zgjedhjeve rezulton që kryeministri Zaev në fillim të janarit duhet t’ia lëshoj vendin një kryeministri të ri nga radhët e partisë së tij.
Sipas Marëveshjes së Përzhinos, të implementuar tashmë në kushtetutë parashihet që 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare kurdo qofshin ato, të formohet qeveri teknike, në të cilën do të participojë me pozicionet e përcaktuara edhe opozita. Përkundër faktit që është caktuar data për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme partitë politike nuk kanë dhënë detaje nëse kanë diskutuar edhe për të proces. Me gjasë gjithçka do të vendoset në vigjilje të vitit të ri, në kohën kur pritet që kryeministri Zaev të lëshojë postin e tij.
Edhe pse zgjedhjet e parakohshme ishin të pashmangshme tashmë po hapen edhe dilema tjera nëse do të vazhdohet me kursin e reformave të kërkuara, të cilat përsëri do të vlerësohen në procesin për marrjen e datës së bisedimeve. Me gjasë këto muaj parazgjedhor do t’i anashkalojnë reformat e pritura, sidomos në kushtet kur secila parti do të futet në ethet e një fitoreje të mundshme. Me gjasë nga zgjidhjet dhe puna konkrete për të përmbushur obligimet që nënkuptojnë përafrim me standardet që kërkon BE-ja do të kalohet në diskurse tjera mobilizuese elektorale.
Një lajm i mirë është tashmë se të gjitha partitë janë dakorduar për përkushtim ndaj procesit të integrimeve europiane, por kjo mbase nuk do të mjaftojë për të treguar rezultate konkrete në të gjitha ato fusha ku pritet të ndodhin reformat. Përfaqësues të lartë europianë kanë bërë thirrje që të vazhdohet në rrugën e reformave, por duket se këto thirrje do të humben në arenën e betejave politike që pritet të ndodhin ndërkohë.
Mos marrja e datës për bisedime që erdhi për shkak të vetos franceze ka të ngjarë që ta zbehë deri në apati të skajshme ambicien dhe entuziazmin për ndryshime. Beteja konceptuale brenda BE-së, mes Francës që kërkon një metodologji të re dhe pozicione brenda unionit dhe Gjermanisë si promotore e hapjes së negociatave, ka të ngjarë që t’i zvetënojë skajshmërish angazhimet për të qëndruar në rrugën europiane.
Kjo vonesë dhe ky kalim i pashmangshëm në zgjedhje të parakohshme mbase mund t’i japë një goditje të fortë ambicies për të hapur negociatat në një kohë sa më të afërt. Pjesa dërmuese e shteteve anëtare e kishin vlerësuar përparimin e dy vendeve në rrugën e reformave edhe pse e dinin se shumëçka mbetej për t’u përmbushur në rrugë e sipër. Një premtim i dhënë që u minua nga Franca e qasjes së re për negociatat. Nuk dihet tashmë se cili mund të ishte opsioni më i mirë për dy shtetet e rajonit. Një veto që nënkupton zmbrapsje, dilema, dyshime dhe pasiguri në horizont, apo një vendim unanim pro që do të nënkuptonte një fillim, një futje në matricën e angazhimeve motivuese europiane. Një nisje që mbase do të nënkuptonte një maskë që do të transpononte fryrën e institucionale të dy vendeve, njësoj siç kërkonte dikur Eskili një maskë për grekët për t’i dhënë një fytyrë tjetër progresit të tyre, siç e përshkruan Kadare në “Ftesë në studio”
Sidoqoftë, mbase kjo veto është një rast i mirë për të kuptuar që në konstelacione të mëdha, shtetet e Ballkanit Perëndimor mbeten të vogla për ta imponuar optimizmin e tyre mbase të arsyeshëm. Europa mbetet e komplikuar në vendimmarrjen e saj, ndërkohë që vendeve të rajonit nuk iu mbetet asgjë tjetër pos të përpiqen vazhdimisht për përafrim me standardet europiane, pavarësisht nga probabilitetet për hapjen e negociatave. Dhe kjo duhet të ndodhë për shkak të qytetarëve dhe jo për shkak të një date që kurdoherë do të vijë nëse në mënyrë korrekte politika, qeverisja, pavarësisht se kush është në pushtet, kujdeset që të funksionojë mbi principet e qeverisjes së mirë, mbi principet që funksionon Europa.
Çdo rrugë tjetër është qorre. Çdo rrugë tjetër mund të ofrojë triumfalizëm çasti, mund të ofrojë retorika fascinuese, por vjen një moment kur do të ballafaqohet me realitetin e hidhur të pamundësisë. Hapja e horizontit parazgjedhor nuk guxon të shmang këtë orientim substancial, sepse tashmë është e bërë e qartë se rruga drejt anëtarësimit do të jetë kaq e vështirë dhe me llogaridhënie të përhershme.