E diel, 26 Janar, 2025

ZIGZAG: CHERCHEZ LA FEMME!

E dini si është, ku dhemb dhëmbi, shkon gjuha! Peripecitë e integrimit euro-atlantik po shpërfaqin me të njëjtën vrazhdësi, si në të shkuarën, atë takatin e më të fortit: Politikës së shumëprovuar të kulaçit dhe kërbaçit ngadalë e më shumë po i del boja. Baballarë mashtrues, do të thoshte një miku im, pa çka se fëmijët çapkënë nuk janë si ne, të kohës së perenduar, dhe nuk u besojnë llafeve po punëve? Merrnie pritjen e datës për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian apo edhe rindezjen e debatit për përdorimin zyrtar edhe të shqipes në Maqedoninë e Veriut: Disa thumbit, disa patkoit, të tjerët – cherchez la femme!

Autor: Seladin Xhezairi

1.Maqedonia e Veriut  dhe Shqipëria, si kurrë më parë, këto ditë janë vënë përballë dilemës shekspiriane: Të jesh apo të mos jesh? Kjo për shkak se u joshën, përmes asaj që quhet politikë e kulaçit e kërbaçit, bënë atë që në rrethana të tjera mbase nuk do ta bënin, dhe dje u bindën se e marta e Luksemburgut na doli ters! Franca na doli më katolike se papa, sikurse thuhet, dhe me një ‘No passaran’ fundosi shpresën se do të mund të nisim edhe ne të shohim ‘ëndrrën evropiane’. Diplomacia e sidomos Presidenti Emanuel Makron sikur harroi se edhe shtetet ndonjëherë janë si fëmijët: Përse sot kaq parimor e dje – jo? Parisi po na tregon se është i mishëruar me atë fjalën tonë të urtë që thotë se nga e thëna në të bërë ka një det të tërë: Nga fundi i gushtit, presidenti Makron u angazhua për ‘rikthimin e Ballkanit Perendimor në gjeografinë e Evropës’. Pasja e strategjisë evropiane, tha ai, nënkupton marrjen parasysh të kufijve të Evropës. Biles, në përpjekje për t’u faktorizuar më shumë, të tjerët thonë, për të plotësuar boshllëkun me largimin e kancelares Angela Merkel, i pari i Francës nënvizoi se ‘në botën që po ndryshon strategjikisht dhe gjeopolitikisht’, vendi i tij nuk duhet të lejojë veprimin e fuqive joevropiane si Rusia, Turqia apo edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga Strategjia franceze, të shpërndarë gjithandej në Ballkanin Perendimor, buroi një biçim optimizmi se rajoni do të mund të stabilizohet përgjithmonë dhe t’ju përgjigjet sfidave të shumta me të cilat përballet: politike, ekonomik-sociale, por edhe ato që kanë të bëjnë me sundimin e shtetit të së drejtës apo çështjet e sigurisë. I shitur si ‘strategji makroniane’, dokumenti ngjalli shpresën (jo aq për shkak të ndihmës vjetore, ‘fillimisht 100 deri më 150 milion euro’, të siguruar nga Agjencia Franceze për Zhvillim, sa për shkak të pohimit për bashkëveprim me Gjermaninë. Përplasjet diplomatike mes Parisit dhe Berlinit nëse Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë duhet t’i jepet apo jo data për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE, sikur nxjerrin në plan të parë rivalitetin për primat në gjashtë vendet e rajonit, ku aktualisht Gjermania është në pozicion më të favorshëm (hiq Serbinë dhe atë që quhet Republika Serpska), dhe po del se Ballkani  në të ardhmen do të përballet jo me sfida, por probleme që janë jashtë takatit të tij për t’i zgjidhur. U mor vesh: për të të mirë, se për t’i çuar punët mbrapsht, fitilin e ndezim vet!

2.Komisioni i Venecias që mëton me rolin e tij këshillëdhënës të na i ndreq punët duket se me prononcimet e fundit (për Shqipërinë, fillimisht, e më pas edhe për Maqedoninë e Veriut) po shkonë gjithnjë e më shumë – larg të qënurit i besueshëm. Në rastin e parë lidhur me veprimet e Presidentit Ilir Meta, fillimisht doli me konstatime se ‘Presidenti tejkaloi kompetencat e tij sipas Kushtetutës fillimisht duke anuluar e më pas, duke shtyrë zgjedhjet lokale…’, ndërsa në opinionin përfundimtar konstatimi nuk figuron fare. Thuhet se ‘i takon parlamentit dhe në fund Gjykatës Kushtetuese, që të përcaktojë nëse anulimi, e më pas shtyrja e zgjedhjeve lokale, përbën një shkelje e Kushtetutës dhe nëse shkelja është e një natyre të tillë serioze, që do të mund të lejonte shkarkimin e Presidentit’! Edhe në rastin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, saktësisht të përdorimit zyrtar edhe të gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në bazë të asaj që mund të mësohet, rezulton se Komisioni i Venecias lëshohet në vlerërsime tejet arbitrare që, sikurse thuhet, nuk janë në tagrin e tij. Vëretjet gjysmëpublike të palës shqiptare, mbase mund të kenë bërë që Opinioni përfundimtar të ‘hekuroset’ apo, pse jo, edhe të rishikohet njësoj si ai me Shqipërinë, por duket se ka për të qenë larg asaj se është institucion mbi palët!

3.Dhe, krejtësisht në fund, duket se po na hapet një debat i lirë sportiv – ai për tifozllëkun në futboll. Nuk marrë shumë erë nga sporti, ama për shkak të djelmoshave që luajnë për Zvicrën, nuk është se, kur luajnë ata, nuk më mbrëthejnë ethet! Mirëpo, ç’të thuhet kur luajnë përfaqësueset e Maqedonisë së Veriut, të Kosovës, Shqipërisë, apo edhe Malit të Zi, kur do të vijë radha që ato të përballen me njëra-tjetrën? Do të rindezim debatin për ‘tradhëtarë e atëdhetarë’, sikurse në politikë, apo thjesht do të bëjmë tifo, pa shtërzime e etiketime: të kënaqemi e le të fitojnë më të mirët! Hë? /KDP

 

Të fundit