E enjte, 12 Shtator, 2024

SAMITI I “THE ECONOMIST” NË SHKUP: OPTIMIZËM DHE MBËSHTETJE PËR HAPJEN E NEGOCIATAVE

Samiti i “The Economist” në Shkup ka riafirmuar angazhimet për hapjen e negociatave të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për anëtarësim në BE. Marrëveshja e Prespës është parë si një shembull pozitiv dhe reflektues për gjithë rajonin. Pjesëmarrësit kanë theksuar nevojën e bashkëpunimeve rajonale në funksion të integrimeve euro-atlantike. Ky samit duket si një prelud me mesazhe mbështetje dhe sensibilizimi në kohën kur dy vendet presin një vendim pozitiv të Këshillit Europian kah mesi i muajt tetor.

 

Analizë e KDP-së

 

Pritjet e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për hapjen e negociatave me BE-në, kanë qenë në fokusin e Samitit të “ The Economist” të mbajtur në Shkup. Për pjesëmarrësit në këtë takim, Marrëveshja e Prespës është një shembull pozitiv, që hap një kapitull të ri mes dy vendeve, por njëkohësisht kjo marrëveshje ka ndikim në gjithë rajonin në rrugën e integrimeve.

“Perëndimi duhet të tregojë se shembujt pozitivë duhet të shpërblehen, dhe Marrëveshja e Prespës është një shembull pozitiv. Kjo marrëveshje hapi një kapitull të ri në marrëdhëniet midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, po ofron mundësi për një bashkëpunim më të mirë ekonomik dhe ka hapur rrugën e Shkupit drejt Bashkimit Evropian. Marrëveshja e Prespës ka ndikim në të gjithë rajonin, është rezultat i një sërë aktivitetesh dhe një moment i rëndësishëm për integrimin e gjithë Ballkanit Perëndimor” ka theksuar ish-ndihmës sekretari amerikan për Evropën dhe Eurazi, Ëes Mitchell.

Mitchell e ka vlerësuar gjithashtu Marrëveshjen për fqinjësisë të mirë me Bullgarinë. Ai ka theksuar se  për ardhmërinë euroatlantike të Ballkanit Perëndimorë janë të rëndësishme bisedimet midis Beogradit dhe Prishtinës si dhe marrja e datës për fillimin e negociatave me BE-në për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërisë.

Ish-kryetari i Parlamentit Evropian, Martin Shulc ka theksuar se Bashkimi Evropian në tetor duhet të japë datë për fillimin e negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

“Po, definitivisht do të jetë kështu, mendoj se si personalitete duhet t’i mbajmë premtimet tona veçanërisht në jetën politike. Shpresoj se nga mesi i tetorit Këshilli do të vendosë për fillimin e negociatave inkuadruese siç ishte premtuar. Shpresoj se nuk do të anulohet sërish. Megjithatë, përvoja ime pas tre dekadash punë në institucionet evropiane dhe në politikën evropiane më tregon se asgjë nuk mund ta parashikojmë”, ka theksuar Shulc në Forumin “ The Economist” që mbahet sot në Shkup.

Ish-kryeministri grek Alexis Tsipras ka theksuar në këtë samit se Marrëveshja e Prespës është një fitore e diplomacisë mbi nacionalizmin, mundësi për bashkëpunim më të ngushtë midis dy vendeve, një kontribut për paqen dhe stabilitetin në rajon, diçka që synon Bashkimi Evropian. Me këtë, ka theksuar ai, Maqedonia Veriore ka treguar se është një partner i besueshëm i Bashkimit Evropian, në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Evropian duhet të caktojë datë për fillimin e negociatave për anëtarësim.

“Kjo marrëveshje tregon vlerën për të cilën po lufton BE-ja. Një pjesë e saj është anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Kjo marrëveshje riafirmon ambicien e BE për të sjellë paqen dhe stabilitetin në rajon. Maqedonia e Veriut është një shtet që promovon procesin e zgjerimit në kuadër të legjislacionit evropian. Kjo marrëveshje tregon se vendi është një partner i besueshëm dhe se BE duhet të miratojë datën për fillimin e negociatave në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Evropian”, ka theksuar Tsipras.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka shfaqur bindjen se hapja e negociatave do të ketë ndikim pozitiv në tërë rajonin. “Besoj se lajmi i mirë për fillim të negociatave me Bashkimin Evropian do të ndikoj pozitivisht në mbarë rajonin dhe në vetë Bashkimin Evropian dhe se do të vlerësohet përparimi në reforma dhe zgjidhja e problemeve. Rajoni ka ndryshuar, po merr guximin dhe po krijon kushte për zhvillimin të mëtejmë”.

Zaev ka theksuar se në rast se Këshilli i Evropës nuk vendos pozitivisht dhe nuk jep datë për fillim të negociatave për anëtarësim në BE, do ta dënoj shembullin më të mirë nga të gjitha shtetet në rajon. “Ne nuk dëshirojmë anëtarësim të menjëhershëm, por vetëm datë për fillimin e negociatave. Të na jepet një shans që ta transformojmë shoqërinë tonë. Fqinjët tanë që veçmë janë në BE, Greqia, Bullgaria, Romania, Kroacia si dhe Austria, Hungaria dhe Italia edhe njëherë kanë theksuar mbështetjen e tyre për gjithë Ballkanin perëndimorë, posaçërisht për Republikën e Maqedonisë së Veriut”, ka theksuar Zaev.

Ky samit vjen si një prelud përpara vendimit të Këshillit Europian, i cili në datë 17 dhe 18 tetor do të duhet të vendosë nëse Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do të marrin datë për fillimin e bisedimeve. Tashme Bundestagu gjerman ka dhënë dritë jeshile për fillimin e negociatave me dy vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërkohë që pritet edhe reflektimi i shteteve tjera anëtare. Hapja e negociatave shihet sin je reflektim thelbësor për zhvillimet integruese në Ballkanin Perëndimor. /KDP

 

 

Të fundit