E shtunë, 25 Janar, 2025

Lufta kundër korrupsionit dhe integriteti shoqëror

‘’Nuk jemi të varfër, jemi të vjedhur’ ishte parrulla më e qëllur gjatë protestave të fundita të studentëve në Shqipëri. Le të na shërbejë si alarm, sepse pa çrrënjosur korrupsionin do të ngelim gjithmonë të varfër.

 

Autor: Sefer Selimi Jr.

Me shumë gjasë, në Tetor të këtij viti Maqedonia e Veriut do të merr datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kjo nënkupton fillimin e një procesi të reformimit institucional dhe përshtatjes me standardet evropiane. Nuk do mend që kjo do të jetë një sfidë për institucionet e brishta demokratike, me kapacitet të limituar profesional nga partizimi i tyre ndër vite dhe me resurse të limituara financiare. Por sfida më e madhe ka qenë, është dhe do të jetë korrupsioni i përhapur në të gjitha nivelet shoqërore dhe institucionale. Kjo praktikë, që ka depërtuar thellë në kulturën e ndërveprimit shoqëror, gërryen jo vetëm të mirat publike por dëmton rëndë shoqërinë edhe në dimensionin individual edhe në atë kolektiv.

Me përjashtime të vogla, kështu për shembull është sekret publik që tarifa korruptive për të marrë një tender publik varion nga 10% deri në 20% e shumës së përgjithshme, para të cilat duhen paguar përmes sekserit i cili ose punon në institucion ose është i angazhuar nga i njëjti. Këto mjete përfundojnë tek titullari i institucionit i cili pastaj merret me shpërndarjen e tyre, nga të cilat një pjesë e caktuar doemos përfundon në parti. Ka raste që bëhen edhe kompensime të ndryshme, duke i kryer shërbime apo duke i dhënë ‘’dhurata’’ specifike që i duhen privatisht titullarit. Kjo na kushton shumë edhe në plan financiar edhe në plan shoqëror. Në planin financiar, për një denar të vjedhur, na duhen tre denarë tjerë për ta kompensuar, edhe atë: 1 është denari i vjedhur, 1 është denari i cili nuk u investua dhe 1 është denari që duhet ta paguajmë sërish përmes taksave për ta rikthyer në buxhet. Në plan shoqëror, shërbimi/investimi publik do të jetë me kualitet të dobët duke qenë se gjatë implementimit njëri sy i autoriteteve do të jetë i mbyllur për lëshimet eventuale dhe kështu ne përfundojmë me shkollat, çerdhet, rrugët, kanalizimet e ujësjellësit që i kemi. Nuk do mend që lufta për pozita udhëheqëse publike është e ashpër brenda partive politike, natyrisht me idenë e vetme ‘’për të bërë para’’.

Por më tragjike se kjo është mentaliteti dhe qasja jonë shoqërore ndaj kësaj praktike. Këta titullarë gëzojnë respekt dhe status të lartë shoqëror, ulen në vendet e para në ngjarjet publike, u thuren lavde e lëvdata e shpesh janë modelet që duhet ndjekur. Arsyetimet janë nga më të ndryshmet, por më banalja është ajo popullorçeja: Normal, ta kesh gishtin në mjaltë dhe mos e lëpish?! Krejt e kundërta ndodh me ata që nuk korruptohen. Ata i quajmë të paaftë, naivë, torollakë të pazotit për ta shfrytëzuar mundësinë.

Kjo tolerancë shoqërore ndaj korrupsionit ka prodhuar pasuri të shpejtë dhe enorme për një klasë të caktuar. Prandaj sot kemi gjykatës me park privat vozitës prej qindra mijëra eurove, prokuror me pasuri të bollshme për disa breza, përmbarues me konto bankare milionëshe, drejtor kadastre me plot banesa, ministra të pasur brenda e jashtë vendit, kryetar komunash me biznese private. Kemi një klasë e cila para se t’ia jepte shansin dhe pozitën partia nuk përfaqësonte asnjë vlerë të veçantë intelektuale apo shoqërore.

Kohët e fundit, ‘’lufta kundër korrupsionit’’ është bërë premtimi kryesor i politikanëve gjithandej Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu edhe Maqedoninë e Veriut. Por a mundet ta luftojnë korrupsionin të korruptuarit?

Lufta kundër korrupsionit duhet të filloj në nivelet më të larta dhe për këtë do të duhet të presim edhe një kohë të caktuar. Por çka mund të bëjmë në ndërkohë? A mundet qytetarët, pa pushtet, të luftojnë kundër kësaj praktike? Çka mund të bëj një mësues, një mjek, një bujk, një gazetar, një student për t’iu kundërvënë kësaj të keqe?

Mundet, edhe atë çdo kush nga ne mundet të fitoj nga një betejë të vogël në këtë luftë të madhe për të mirën tonë të përbashkët. Ne, qytetarët duhet të ndërtojmë integritetin tonë shoqëror duke refuzuar ta ushqejmë këtë sistem siç e kemi ushqyer deri sot, duke filluar nga parimi i thjeshtë: të bëjmë gjënë e duhur edhe atëherë kur nuk na sheh askush. Ndonëse kjo mund të tingëllojë naive, utopike dhe çlirimi nga ky sistem duket i pamundur, por sa më shumë nga ne e zbatojmë ligjin dhe bëhemi qytetar të përgjegjshëm aq më i pakët do të ngelet numri i atyre që i bëjnë bisht atij. Lufta kundër korrupsionit, si çdo luftë tjetër kërkon guxim, sakrificë por edhe vendosmëri.

Ja shembuj praktik për disa ‘’sekrete publike’’ të korrupsionit:

– Kur t’ju kërkojnë 300 euro për të kaluar testin e lejes së vozitjes, mos i jepni por denonconi në organet përkatëse. E shumta që mund të sakrifikoni është të mos e merrni lejen edhe për një periudhë 3-4 mujore, të cilën edhe ashtu nuk e keni pasur. Në qoftë se organet përkatëse nuk veprojnë herën e parë, do ta denoncojë edhe një i dytë, edhe një i tretë derisa presioni publik të bëhet aq i madh sa organet do të duhet patjetër të veprojnë.
– Nëse mjeku ju kërkon 500 euro për të kryer ndërhyrjen e duhur mjekësore, jepjani për ta kaluar urgjencën por përsëri denoncojeni. Denoncojeni dhe turpërojeni publikisht hipokritin me betim të Hipokratit.
– Nëse profesori ju kërkon 300, 500 apo 1500 euro për ta kaluar provimin në fakultetin e mjekësisë apo ndonjë fakultet tjetër, filmojeni dhe denonconi në organet përkatëse por edhe në publik për ta zhveshur nga petku i nderit që nuk i takon.

Integriteti shoqëror nënkupton që ne të mos gabojmë me vetëdije dhe kur të gabojmë të mbajmë përgjegjësinë e gabimit. Mbi të gjitha duhet të marrim përgjegjësitë qytetare që na takojnë dhe kjo përfshinë edhe të denoncojmë kur na bëhet e padrejtë, kur na kërkohet ryshfet. Ndonëse besimi tek institucionet publike në përgjithësi është i vogël, posaçërisht tek institucionet ligj-zbatuese, por kur 70% e të rinjve do të pranonin të paguajnë ryshfet në këmbim të një favori, kjo flet që problemi është jo vetëm strukturor por edhe kulturor. Herën tjetër mos kërkoni rrugën më të lehtë për të kryer punë, por rrugën e drejtë.

‘’Nuk jemi të varfër, jemi të vjedhur’ ishte parrulla më e qëllur gjatë protestave të fundita të studentëve në Shqipëri. Le të na shërbejë si alarm, sepse pa çrrënjosur korrupsionin do të ngelim gjithmonë të varfër. /KDP

Të fundit